(E plotësuar)
Pas hetimeve të gjata, të udhëhequra nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm janë arrestuar tre persona.
Në mesin e të arrestuarve mësohet se është prokurorja Vahide Badivuku, nga Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, si dhe dy ndërmjetësues, ndërsa ndërmjetësuesi i tretë sipas një komunikate të Prokurorisë Speciale të Kosovës gjendet në arrati.
Të arrestuarit dyshohen për veprat penale:
• “Marrja e ryshfetit”, sipas nenit 428, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;
• “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës;
• “Ushtrimi i ndikimit”, sipas nenit 431, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
E pandehura V.B., sië edhe thuhet në komunikatën e Specialës është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale, të cilën ajo e ka pasur në hetime.
V.B. ka kërkuar ryshfet në shumën prej 22.000 euro (njëzetedymijë euro) përmes ndërmjetësuesve dhe pas dorëzimit të shumës në fjalë, si prokurore e rastit ka përpiluar kërkesën për lirim të automjeteve.
“Mbrëmë gjatë kontrollit në pikë kalimin kufitar në Merdare, është kontrolluar e pandehura V.B. dhe në çantën e saj janë gjetur shuma prej 5.000 euro, të cilat janë pjesë e 22.000 eurove të pranuara ryshfet”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
…………………………….
Prokurorja e krimeve të rënda, Vahide Badivuku është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë Speciale e Kosovës Liridonë Kozmaqi – Hajdaraj.
Ajo, nuk dha detaje shtesë rreth arsyeve të arrestimit duke treguar se detajet do t’i bëjë të ditur përmes një komunikate për media.
