Shoqatat e personave me nevoja të posaçme kërkojnë që çdo parti politike të ketë persona me pengesa në lëvizje në listat e kandidatëve për këshilltarët komunal në zgjedhjet lokale të tetorit. Nga Shoqata “SOS VITA” thonë se vetëm kështu do të jenë më të përfaqësuar në jetën shoqërore.
“Nëse e kemi një këshilltar nëpër komuna si një person me nevoja të veçanta, më lehtë do ta kemi t’i kërkojmë të drejtat tona, do ta kemi më lehtë jetesën tonë. Ai si këshilltar në kuvendin komunal e di se çfarë do të thotë një person me aftësi të kufizuara dhe mendojmë se do t’i kërkojmë të drejtat tona më lehtë dhe më mirë… Ju e dini se edhe në institucionet shtetërore ende janë qasjet jo të mira për personat me nevoja të veçanta”, u shpreh Ertan Shaqiri – kryetar i Shoqatës “Sos Vita”.
Personat me nevoja të veçanta thonë se përpos shkeljes së dinjitetit, atyre ua kanë hequr kafshatën e gojës. Rritja e kostos së jetesës ka bërë që të ardhurat e tyre në formë të ndihmave sociale-invalidore dhe të kujdesit pothuajse të mos u mbyllin as javën e parë të muajit, e për ditët e mbetura ata tregojnë vet se çfarë heqin.
“Ne ju bëjmë thirrje të gjitha komunave dhe të gjitha organeve kompetente që janë në nivel shteti sepse ka ardhur koha që të ketë nga një këshilltarë në çdo kuvend komunal si përfaqësuesi i personave me nevoja të veçanta për t’i kërkuar nevojat tona. Sa herë që i shohin aty invalidët do ta dinë se çfarë na duhet dhe ta informojnë se çfarë duhet të punohet, deri më tani kjo nuk ka ndodhur”, tha Zhivko Milevski – Anëtar i Shoqatës “Sos Vita”.
Përndryshe, Komisioni shtetëror i zgjedhjeve së fundmi solli vendim që kandidatët e pavarur për këshilltarë dhe kryetarë komunash të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale vetëm me dy nënshkrime nga dy votues. Paraprakisht, shoqatat kanë shprehur shqetësimin e pengesave për kandidim me lista të pavarura, si pasojë e në një vakumi juridik sepse Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dy nene, 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor, të cilat parashikonin rritjen e pragut të mbledhjes së nënshkrimeve për të kandiduar me lista të pavarura. Por, Neni 60 nuk është shfuqizuar, ku thuhet se kandidatët në zgjedhjet lokale mund të propozojnë partitë politike por edhe qytetarët përmes listave të pavarura, dhe kjo ju mundëson që edhe shoqata e personave me nevoja të veçanta të kenë kandidatët e tyre.
