Qytetarët që jetojnë në afërsi të Qendrës për të varur nga droga në Kisella Vodë edhe një herë në mënyrë publike porositën Ministrinë e shëndetësisë që të realizojë premtimin dhe të dislokojë pacientët e këtij objekti. Siç thonë ata, është koha që problemi të zgjidhet përfundimisht, i cili tashmë tre dekada po ua shkatërron cilësinë e jetës së përditshme.
“Ata mblidhen këtu, për të marrë terapinë, e marrin terapinë dhe qëndrojnë këtu tërë ditën. Gjithë kohën e kalojnë këtu. Disa mbesin lakuriq, gjysmë lakuriq dhe marrin drogë në vende të papërshtatshme publike. Fëmijët tanë i shikojnë gjithë këto gjëra”, u shpreh Spasija Bllazhevska, banore e Kisella Vodës.
“Neve nuk na pengojnë të varurit nga droga. Neve na pengon mënyra në të cilën ata janë të pranishëm këtu. Mënyrën në të cilën e marrin terapinë dhe problemet që na i krijojnë neve që jetojmë këtu”, tha Toni Sazdovski, banor i Kisella Vodës.
Për dallim të protestës që e organizuan para dy ditëve, sot i pranishëm ishte edhe kryetari kësaj komune, Filip Temellkovski i cili përkrah kërkesat e banorëve të kësaj komune.
“Unë si përfaqësues i komunës jam i involvuar nga vetë fillimi i mandatit tim për zgjidhjen e problemit me spitalin për të varur. Edhe pse nuk kemi premtuar me program, vlerësojmë se spitali është në vend joadekuat. Qëndrimi ynë si komunë dhe i imi si kryetar, është se problemi nuk qëndron vetëm në atë që qytetarët nuk kanë kushte për jetë të qetë dhe të sigurte, por edhe spitali më nuk është adekuat për vetë pacientët”, deklaroi kryetari i Komunës së Kisella Vodës, Filip Temellkovski.
Problemi është i kamotshëm. Vite me radhë qytetarët që jetojnë në afërsi të Qendrës për të varur, kërkojnë dislokim. Vazhdimisht po shqyrtohet mundësia për dislokim, ndërsa e fundit ishte objekti i ish-kantinës së fabrikës Metallski Zavod Tito. Banorët e Gazi Babës dolën në protestë, andaj realizimi i kësaj i ideje u stopua. Jo zyrtarisht, para disa muajve në lojë ishin SPQ “8 Shtatori” dhe Majçin Domi në Aerodrom. Nga Ministria e shëndetësisë për TV21 thonë për momentin po kërkohet zgjidhje për dislokim të Qendrës për të varur. Sapo të caktohet lokacioni, do të informohet opinioni.
Përgatiti: TV21
