Pas takimit të djeshëm në Kuvend për miratimin e Kodit Zgjedhor, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se një pjesë e partive politike, po bllokojnë miratimin e tij. Ai tha se në takimin e djeshëm në Kuvend, VMRO-DPMNE ka përsëritur qartë se votimi i diasporës është synim strategjik, por vlerësoi se disa parti politike kanë dalë me qëndrime të radikalizuara që, sipas tij, nuk lënë hapësirë për marrëveshje. Megjithatë, Mickoski shtoi se Qeveria është e gatshme të pranojë shumicën e propozimeve të opozitës, përfshirë një njësi zgjedhore, më shumë fonde për partitë më të vogla dhe votimin e diasporës me postë, vetëm që Kodi Zgjedhor të miratohet.
“Një qëndrim ishte të votohej brenda Komisionit Shtetëror Zgjedhor me konsensus, diçka që nuk është e pranueshme për ne. Ky është një qëndrim që dikush po e paraqet në mënyrë që të mos ketë marrëveshje. Së dyti, partia politike Levica doli me një kërkesë për më shumë fonde për fushatën, domethënë, të ketë më shumë para për reklamim, si dhe të ketë një njësi zgjedhore, i dini kërkesat nga LSDM”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Nga ana tjetër opozitarja LSDM reagoi duke thënë se nuk janë kundër votimit të diasporës, por kundër votimit të Mickoskit në vend të diasporës. Nga atje shtojnë se zëvendësimi i votimit elektronik, pa pasur KSHZ-ja mundësinë ta rregullojë atë me konsensus, nuk është një garanci për sigurinë dhe kontrollin e shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve.
“Votimi me postë pa verifikim të rreptë institucional e bën të pamundur përcaktimin e identitetit të votuesit dhe mbrojtjen e sekretit të votës. Ky është një anashkalim i drejtpërdrejtë i rregullave zgjedhore. LSDM nuk do të lejojë grabitje zgjedhore, ne kemi detyrim të mbrojmë votën dhe nuk i pranojmë këto lojëra të VMRO-së”, thonë nga LSDM.
Levica kundërshtoi deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski se janë pranuar kërkesat e saj për Kodin Zgjedhor, duke theksuar se propozimi për një njësi zgjedhore është refuzuar. Sipas partisë, prioritet duhet të jetë reforma e sistemit zgjedhor, e jo votimi elektronik i diasporës.
“Një njësi zgjedhore dhe një Kod i ri Zgjedhor ishin arsyeja pse u formua Grupi i Punës në radhë të parë. Një njësi zgjedhore nuk është një kërkesë e re e së majtës e shpikur brenda natës, është folur për të me dekada. Madje është shkruar edhe në programin e partisë DPMNE. Vetëm një vit më parë, Mickoski personalisht bëri thirrje për zbatimin e saj si një reformë e vërtetë demokratike”, u shprehën nga Levica.
Pwrndryshe pas qëndrimeve të kundërta mes pushtetit dhe opozitës, partitë ende mbeten larg një marrëveshjeje për Kodin Zgjedhor, duke lënë të paqartë se kur dhe në çfarë forme do të miratohen ndryshimet.
