Përplasje politike edhe në prag të dimrit të vështirë! Akuza se kush kë e ka ftuar, e kush i ka refuzuar takimet

TË FUNDIT

Gjithnjë e më shumë në pikëpyetje se si do të zgjidhet kriza energjetike dhe problemi me furnizimin e energjencave, megjithatë pushteti dhe opozita nuk lënë anash politikën duke u marrë me çështjen se kush kë e ka ftuar në takim dhe kush e ka refuzuar takimin. Pasi drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski bëri thirrje që kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski t’i dorëzojë ofertat dhe kontaktet deri tek EMV-ja, Mickoski këmbënguli për “duel televiziv” me kryeministrin Kovaçevski, ndërsa dje e ftoi edhe zv/kryeministrin për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi në selinë e partisë. Si Bytyqi po ashtu edhe Kovaçevski iu përgjigjën se vendi ku duhet të diskutohet mbi këtë çështje dhe propozimet, është Këshilli ekonomik. Takimi u caktua për të mërkurën.

“Qytetarët e dinë se tashmë 3 vjet publikisht i thërras për bashkëpunim dhe përgjegjësi, me qëllim që të ballafaqohemi me krizën. Ja, përsëri, dyert janë të hapura, zgjidhjet po gjenden në tryezë ku do të ulemi të gjithë së bashku. Nuk ka nevojë për bisedë sy me sy, prapa dyerve të mbyllura”, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për Ekonomi.

“Në Këshillin e fundit ekonomik me përbërje të zgjeruar, ftesë mori edhe VMRO-DPMNE, fatkeqësisht, asnjë përfaqësues i partisë nuk erdhi. Mendoj se më duhet të theksoj se politikat e ekonomisë krijohen në mënyrë institucionale, në Qeveri, në Këshillin ekonomik, me pjesëmarrje të të gjitha palëve të prekura. Vendimet merren në seancë të komisioneve qeveritare e jo në shtabet partiake dhe me ndihmë të strukturave politike”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Nga VMRO-DPMNE shmangën përgjigjen nëse Mickoski ose përfaqësues të partisë kësaj here do të shkojnë në Këshillin ekonomik.

“Edhe një herë do t’ju udhëzoj, kryetari i partisë prezantoi një plan të tërë ekonomik, pako me masa ekonomike, kontaktet janë pjesë e kësaj pakoje. Përfundimisht duhet të interesohen, për shkak se plani ekonomik ka të bëjë me kursimin e 300 milionë eurove, para të shtetit, të qytetarëve, është koha që pushteti të interesohet për këtë”, theksoi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Mickoski shkroi se edhe Kovaçevski edhe Bytyqi nuk mund ta tejkalojnë egon e tyre dhe interesat politike. Ai përsëri i thirri në takim në selinë e VMRO-DPMNE-së.

“Nëse e udhëhiqnit me sukses Këshillin ekonomik, atëherë nuk do të gjunjëzoheshit para vendeve fqinje ku në takime sy me sy kërkuat lëmosh. Nëse Këshilli ekonomik ishte i suksesshëm, deri më tani do të siguronit energji elektrike për FENI dhe Buçimin dhe në vend të çelësit në derë, atje do të punonin furrat siç punojnë në kompanitë e vendeve fqinje. Jam në dispozicion që t’jua shpjegoj konceptin që jua ofroj. Zgjidhni ekip dhe ejani në selinë e VMRO-DPMNE-së në ditë dhe kohë që ju përshtatet”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski e prezantoi propozimin e tij javën e kaluar në takim me kryesinë e Lidhjes së odave ekonomike.