Përplasje për “Safe City”! Pushteti e opozita me akuza për (mos)votimin e Ligjit

TË FUNDIT

Pushteti dhe opozita vazhdojnë përplasjet edhe pasi kaloi në Kuvend Ligji për Kundërvajtje, ku përfshihet edhe projekti “Safe City”. Partia në pushtet VMRO-DPMNE akuzon dy partitë opozitare LSDM-në dhe BDI-në për bashkëpunim, duke thënë se miqësia e Venko Filipçes dhe Ali Ahmetit u tregua e pandashme kur kanë interesa të përbashkëta dhe deputetët e tyre votuan kundër ndryshimeve të Ligjit.

“Imagjinoni, deputetët e tyre qëndruan kundër një sistemi që garanton sigurinë e qytetarëve në trafikun rrugor, sistem që ka për qëllim të ulë aksidentet rrugore, të cilat në Maqedoni shpesh kanë pasoja fatale. Miçësi e Venko dhe Ali e çon të dy dhe partitë e tyre në shkatërrim, ndërsa VMRO-DPMNE vazhdon të kujdeset me përkushtim për qytetarët”, tha Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.


Me kritika ndaj opozitës, konkretisht BDI-së, doli edhe koalicioni në pushtet VLEN. Nga atje thonë se kur flitet për “Safe City”, nuk flitet për kamera apo gjoba, por për jetë njerëzish. Mosvotimin e Ligjit nga BDI, dhe qëndrimet e tyre kontradiktore para votimit, i quajnë pasqyrë që tregon krizën e thellë të brendshme në BDI.


“Qytetarët duhet ta dinë qartë: problemi nuk është “Safe City”. Problemi është BDI, një strukturë e kapur nga e kaluara, që edhe sot vepron vetëm për interesat e veta. Problemet e BDI-së nuk janë dhe nuk do të bëhen problem i qytetarëve. VLEN është e vendosur dhe nuk do të lejojë që pazaret dhe lojërat politike të sakrifikojnë jetë njerëzish. “Safe City” do të zbatohet”, thonë nga VLEN.

Nga BDI nuk u janë përgjigjur këtyre akuzave, por ditë më parë ata sqaruan se nuk janë kundër sigurisë së qytetarëve në trafik, por votuan kundër ligjit pasi “Safe City” nuk po zbatohet në gjithë shtetin, e si rrjedhojë nuk mund të dilnin kundër vullnetin të qytetarëve.

Përveç BDI-së, edhe deputetët e dy fraksioneve të ASH-së votuan kundër. Nga ajo e Arben Taravarit sot sërish kritikuan duke thënë se koalicioni VMRO–VLEN–LEVICA po zbaton “Safe City” në mënyrë selektive.

  • zbatimin e këtij ligji nuk po respektohet Ligji për përdorimin e gjuhëve.
  • dënimet e parapara dhe mënyra e zbatimit të tyre janë disproporcionale dhe pa ndjeshmëri sociale.
  • zbatimi selektiv i projektit “Safe City” vetëm në disa qytete është i padrejtë dhe diskriminues”, theksojnë nga ASH-Taravari.

Nga ASh njoftojnë se për shkak të këtyre shkeljeve serioze ligjore dhe kushtetuese, do ta ankimojë Ligjin për Kundërvajtje në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe barazisë para ligjit.