Përplasje në Azinë Juglindore! Tajlanda nis sulme ajrore, bie marrëveshja “Tramp” për armëpushim

TË FUNDIT

Paqja në Azinë Juglindore është ndërprerë. Tajlanda ka nisur sulme ajrore në kufirin e kontestuar me Kamboxhian, pasi dështoi armëpushimi i brishtë që në tetor e ndërmjetësoi presidenti amerikan Donald Tramp.

Mijëra civilë janë sërish në arrati. Ushtria tajlandeze konfirmoi se po përdor avionë luftarakë për, siç thanë, neutralizimin e sulmeve nga ana e Kamboxhias.

“Kamboxhia hapi zjarr në shumë zona shtesë në agim… Tajlanda u kundërpërgjigj sipas strategjisë sonë, duke u fokusuar te objektivat ushtarake që nisën sulmet ndaj Tajlandës… Kërkuam gjithashtu mbështetje ajrore nga forcat ajrore ushtarake”, tha Gjeneral-Major Vintai Suvare, zëdhënës i Ushtrisë Tajlandeze.

Bangkoku zyrtar thotë se një ushtar i tyre është vrarë dhe tetë janë plagosur. Ministria e Mbrojtjes e Tajlandës njoftoi se mbi 35 mijë njerëz tashmë kanë braktisur fshatrat kufitarë.

Nga ana tjetër e kufirit, Pnom Peni i hedh poshtë akuzat se kanë qëlluar të parët. Ata raportojnë viktima civile dhe i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë urgjentisht.

“Kamboxhia i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dënojë fuqishëm shkeljen e Deklaratës së Përbashkët dhe veprimet e përsëritura të paligjshme të Tajlandës. Kërkojmë që Tajlanda të ndalojë menjëherë të gjitha armiqësitë që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon”, shtoi Mali Soçeata – zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias.

Tensionet kanë qenë të pranishme me muaj. Megjithëse presidenti Tramp në nëntor deklaroi se kishte “ndalur një luftë” mes dy fqinjëve, incidentet me mina tokësore muajin e kaluar e tronditën armëpushimin.

Të dy mbretëritë kanë një histori armiqësie që daton prej shekujsh, ndërsa kontesti modern buron nga mosmarrëveshjet mbi hartën e cila ishte vizatuar që në kohën e sundimit kolonial francez në vitin 1907. Ndërsa diplomacia është në ngërç, mijëra familje po kalojnë natën në strehimore të përkohshme.