Përplasje mes ZNAM-it dhe partive shqiptare! Mickoski: Provimi i jurisprudencës do të mbahet sipas modelit të kombinuar

TË FUNDIT

Reagime të ashpra në opinion nga partitë shqiptare, pasi ditëve të fundit nga ZNAM-i përsëritën qëndrimin e tyre se Provimi i Jurisprudencës duhet të jepet në gjuhën maqedonase dhe se nuk pajtohen që ky provim të jepet në dy pjesë, përkatësisht pjesa teorike në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase. Qëndrimit të partnerit të koalicionit në pushtet iu përgjigjën nga VLEN-i. Adnan Azizi, në një postim në Facebook, shkroi se Provimi i Jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa deklaratat e tilla të ZNAM-it i quajti shoviniste.

“Mos i merrni seriozisht ZNAM-in e Maksin. Ata thonin se nuk mund të shkarkohet Fillkovi, por e dini si përfundoi kjo histori. Provimi i Jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, i pëlqeu kjo ZNAM-it ose jo. Sepse për të drejtat e shqiptarëve pyetet VLEN-i e jo ZNAM-i. Nuk ngjallet një parti e vdekur me deklarata shoviniste. Përkundrazi, do të fundoset edhe më shumë”, tha Azizi.
Reagoi edhe Rijad Shaqiri nga Aleanca për Shqiptarët, i cili përmes rrjeteve sociale porositi se ky shtet është edhe i shqiptarëve dhe se kujt nuk i pëlqen kjo, Vranjën e ka afër.

“Ky shtet është edhe i shqiptarëve! Shqiptarët nuk janë mysafirë në këtë vend, por popull shtetformues dhe pjesë përbërëse e tij. Gjuha shqipe nuk është privilegj, as kërkesë për trajtim të veçantë. Është e drejtë që buron nga realiteti shoqëror dhe kushtetues i këtij shteti. Nëse nuk të pëlqen ky realitet, Vranjën e ke afër! Shqiptarët nuk kërkojnë më shumë se të tjerët, por as nuk pranojnë të trajtohen më pak se të tjerët2, tha Shaqiri
Kryeministri Mickoski, i pyetur për kërcënimet e kryetarit të ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, se do të largohet nga Qeveria nëse Provimi i Jurisprudencës jepet në gjuhën shqipe, shmangu dhënien e një komenti, por përsëriti atë që kishte deklaruar edhe më parë, se provimi do të mbahet sipas një modeli të kombinuar.

“Studentët do të mund ta japin atë pjesë që lidhet me studimet e tyre universitare, të cilat i kanë ndjekur në një gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, ndërsa në Maqedoni studime të tilla zhvillohen në tri gjuhë: shqip, turqisht dhe anglisht, në atë gjuhë në të cilën e kanë përfunduar arsimin e tyre të lartë. Pjesën e Provimit të Jurisprudencës, në të cilën simulohet një proces gjyqësor në kuadër të procedurës penale dhe procedurës civile, do ta japin në lingua franca, pra në gjuhën maqedonase. Me këtë konfirmohet edhe një herë se sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë sipas parimit të lingua franca-s, që është gjuha maqedonase”, tha Mickoski.

Ish-ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, më parë këmbëngulte se Provimi i Jurisprudencës duhet të jepet ekskluzivisht në gjuhën maqedonase, pasi sipas tij, Kushtetuta dhe ligjet nuk japin mundësi që Provimi i Jurisprudencës të jepet në një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase.