Përplasje mes Shilegovit dhe Ganiut! Kush e ndërtoi rrethrrotullimin në Çair?

TË FUNDIT

Në janar, nisjen e punimeve të rrethrrotullimit në bulevardin “Brigada e Dytë Maqedonase” në Çair e vizituan Visar Ganiu dhe Petre Shilegovi. Por në përfundimin e këtij projekti kanë mendime të ndara. Të dy krerët po mundohen të përvetësojnë meritat e e ndërtimit të këtij rrethrrotullimi.

Para dy ditësh si projekt të kryer e lajmëroi Visar Ganiu, kryetari i Çairit. Ai në Facebook shkroi se përfundoi edhe një proces në agjendën e bashkëpunimit të Komunës së Çairit dhe Qytetit të Shkupit.

Por si duket kjo lëvdatë nuk i pëlqeu kryetarit të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov. Ai dje prapa kamerave u tha gazetarëve se meritat janë të Qytetit të Shkupit dhe se i pari i Çairit nuk ka bërë asgjë për këtë rrethrrotullim.

Kur dëgjoi Visar Ganiu reagoi menjëherë, i njëjti nuk deshi të prononcohet para kamerës së TV21, por me letër të hapur iu drejtua Shilegovit.

“Si na qenka kjo histori e rrëfyer nga ana juaj sot se Komuna e Çairit nuk ka financuar madje dhe habiteni me entuziasmin tonë për rrethrrotullimin në Çair, i cili projekt edhe pse ishte i paraparë të përfundojë me buxhetin e parë të mandatit tuaj, sot na vjen i vonuar pas tre viteve madje dhe ndjeheni krenarë në vonesë dhe i vonuar!” Shkroi ne rrijetin social fejsbuk Visar Ganiu, kryetar i Çairit.

Shilegov nuk e mohoi se kjo është rezultat i fushatës zgjedhore e cila ka nisur jozyrtarisht mes politikanëve.

“Investitor i projektit konkret është Qyteti i Shkupit, megjithatë nuk mendoj se tani duhet që për këtë punë të krijohen polemika ose fjalosje në publik. Ne deri tani kemi pasur bashkëpunim të mirë me Çairin besoj se do të vazhdojmë të kemi. Është periudhë e fushatës, ndoshta disa deklarata janë shumë të hershme dhe të dhëna në mënyrë jo adekuate,” tha Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.

Shilegov i dëshiroi shërim sa më të shpejtë Ganiut e siç na tha, do të ulet t’i sqarojë keqkuptimet pasi ta kalojë virusin. E Visar Ganiu në reagimine tij i tha Shilegovit se këtë projekt është dashur ta përfundojë në vitin e parë të mandatit dhe se edhe për shumë projekte tjera të Komunës së Çairit, Shilegov nuk ka treguar interesim, duke shtruar se koncepti ” Shoqëri për të gjithë” nuk duket askund.

Përplasjet e tilla mes partive të koalicionit për përvetësimin e projekteve, aktivizohen zakonisht përpara zgjedhjeve.

Ndryshe vlera e rrethrrotullimit që lidh bulevardin “Brigada e Dytë Maqedonase” dhe rrugën “Kemal Sejfulla” në Çair, kap vlerën e 19.5 milion denarëve.