Nga e shtëna në ajër me pistoletë në incidentin e mbrëmshëm në sheshin Skënderbeu, pësoi drejtori i NP “Higjiena komunale” , Zudi Enuzi-Koka i cili u shkarkua nga detyra.. E kjo për shkak se personi që nxori pistoletën është vëllai i tij.
Mbrëmë në mesnatë kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, informoi për shkarkimin e Zudi Enuzi-Koka.
Ky veprim i Arsovskës nxiti edhe reagimin e nënkryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Tha se do të kërkoj nga kryesia që të ndërpritet bashkëpunimin me Arsovskën.
“Mendoj se këtu përfundon tregimi jonë në Shkup sepse që të shkarkohet ai duhet kryetarja së pari të konsultohet me ne. Këtë e flas personalisht, jo në emër të partisë, megjithatë sot do të kemi edhe mbledhje të partisë”.- deklaroi Arben Taravari, nënkryetar i ASH-së.
Megjithatë si kundër përgjigje ndaj deklaratës së Taravarit, Arsovska tha se bashkëpunimi me ASh ka përfunduar qysh mbrëmë.
“Nuk e kuptoj mendjemadhësinë dhe komentet e zotit Taravari, duke qenë se bashkëpunimi ynë ka përfunduar qysh dje. Ai personalisht mund të marrë vendime për kuadër në Gostivar, jo në Shkup. Nuk ka asnjë arsye për të bashkëpunuar me një person që sulmon, që nuk ka busull etike, që justifikon çdo formë dhune dhe sulmi me armë zjarri si në incidentin e djeshëm dhe nxit tensionet ndëretnike.”- deklaroi Danella Arsovska, Kryetar e Qytetit të Shkupit.
Megjithatë Aleanca për Shqiptarët në Qytetin e Shkupit ka edhe nënkryetaren e Shkupit, Bujare Abazi. Zëdhënësi i partisë, Arben Zeqiri tha se edhe për të do të vendosë kryesia e partisë.
“Edhe kjo që pyesni ju do të varet nga vendimi që do të sjell Kryesia qendrore e Aleancës për Shqiptarët sepse nuk mund të sillen vendime individuale qoftë për një drejtor apo për një nënkryetare të Qytetit të Shkupit. Vendimi duhet të jetë partiak dhe politikë dhe duhet të analizohen mirë të gjitha rrethanat”.- pohoi Arben Zeqiri, Zëdhënës I ASh-së.
Aleanca për Shqiptarët në Këshillin e Qytetit të Shkupit tani ka vetëm një këshilltarë, ndërsa para se të prishej koalicioni me Alternativën kishin dy.
