Përplasje me fjalët “i paaftë” e “hajdut”! Kovaçki “zihet” me kryeministrin Kovaçevski në Kuvend!

TË FUNDIT

Kriminelë, bandë kriminale, spiunë, hajdutë, gënjeshtarë…. të gjitha këto fjalë u dëgjuan nga foltorja e Kuvendit në fillim të seancës së sotme për pyetje deputetësh, edhe atë jo vetëm nga deputetët, por edhe nga vetë kryeministri Dimitar Kovaçevski. Deputeti nga radhët e opozitares VMRO-DPMNE, Dragan Kovaçki parashtroi pyetje për temën mbi të cilën po flet tashmë 10 ditë, gjegjësisht për atë që kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk ka kryer shërbimin ushtarak. Kryeministri iu drejtua opozitës me fjalë mjaft të ashpra.

“Para meje po rri njeri në radhët e  para i cili në vitin 2001 zgjodhi që të jetë i pandershëm, zgjodhi të dezertojë dhe t’i mos ndihmojë shtetit ku kishte nevojë. Ju kryeministër jeni dezertor dhe mbetje e indit maqedonas. Ju nuk jeni kryeministër, ju jeni kukull, ju jeni pion, ju jeni sjellë në pozitë ose për shkak të paaftësisë së përhershme ose për shkak të falsifikimit të suksesshëm. Sidoqoftë, me gënjeshtarë dhe persona me paaftësi të përhershme, Maqedonia nuk mund të avancojë”, tha Dragan Kovaçki, deputet i VMRO-DPMNE-së.

“Në bazë të mendimit të ekspertëve të mjekësisë dhe për shkak të problemit shëndetësor me barkun me të cilin ende po ballafaqohem, u vërtetua paaftësia ime për plotësimin e obligimit ushtarak. Ky grup këtu në opozitë dhe folësi paraprak si udhëheqësi i tyre, ndërsa me urdhër të personit që ua jep urdhrin, në kohën e fundit nuk kanë probleme për shkak se janë hajdutë, kriminelë, papunëtorë, dhunues”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Kovaçki parashtroi pyetje për publikimin në rrjetet sociale të LSDM-së Haraçinë, për punësimin në ARM, ndërsa ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska tha se edhe partia por edhe Ministria e mbrojtjes distancohen nga shkrimi i tillë dhe paralajmëroi se shpallja e publikuar do të zbatohet sipas rregullave dhe procedurave.