Përplasen integristët e Shkupit / Ganiu denoncon kërcënime, BDI dhe Hasani thonë se janë shpifje

TË FUNDIT

Fërkime të reja brenda Bashkimit Demokratik për Integrim. Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu, mbrëmë në polici denoncoi se është kërcënuar me jetë nga Muharrem Hasani, kandidat për kryetar të degës së BDI-së në Buteli. Ganiu ka pohuar se Hasani i është lajmëruar dhe ka filluar ta kërcënojë “deri në atë pikë sa që mund të gjenden së bashku me Izet Mexhitin të paluar në rrugë”.

“Më lajmërohet një numër, në realitet nuk e kisha të regjistruar. Më prezantohet a e di kush jam? Thotë jam Muharemi, cili Muharem? Muharem Hasani. Menjëherë filloi me kanosje, ty edhe Izet Mexhitin, do t’iu gjejnë të paluar në rrugë. Do e shihni prej nesër se kush jam!”, tha Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

Muharem Hasani përmes Facebookut i demantoi akuzat e Ganiut duke thënë se janë shpifje. Shprehet i indinjuar që, siç shkruan, njerëzit të cilët kanë përfituar gjithçka nga Ali Ahmeti dhe BDI, janë tjetërsuar dhe po dalin kundër çdo gjëje që kanë mbështetur për 21 vite me radhë.

“Tash – përnjëherë, kundërshtojnë dhe shpifin për ata, nga të cilët kërkonin mbështetje në çdo cikël zgjedhor. I zhgënjyer, por jo edhe i dëshpëruar, I DEMANTOJ në tërësi shpifjet e Visar Ganiut për gjoja kërcënime nga ana ime. Keqardhje për çdo tentativë për njollosjen e proceseve demokratike zgjedhore në BDI nga të vetlarguarit e familjes, e cila i lindi, i rriti dhe i solli këtu ku janë. Shpifjet dhe njollosjet qofshin në nderin e tyre, nëse ju ka mbetur pak nder!”, deklaroi Muharrem Hasani, kandidat për kryetar dege.

Meqenëse Ganiu i bëri thirrje kryetarit të partisë Ali Ahmeti që të marrë masa që të mos vijë deri te më e keqja, kërkuam qëndrim nga BDI. Nga kjo parti akuzat e Ganiut gjithashtu i quajnë shpifje dhe bëjnë thirrje deri te anëtarët e partisë që të mos bien pre e provokimeve.

“BDI është subjekti i parë shqiptarë që ka instaluar parimin më demokratik në proceset zgjedhore partiake – atë “një anëtar një votë”. Le që kemi instaluar këtë parim por edhe implementimi i tij po shkon në mënyrën më demokratike të mundshme, me një garë pozitive dhe konkuruese. Shpifjet që kanë për qëllim të vendojnë hije mbi këtë vlerë të re të politikë në vend, janë tentime dëshpëruese për ta mbuluar diellin me shoshë. Ftojmë anëtarët e regjistruar të Bashkimit Demokratik për Integrim mos të bijnë pre e provokimeve të tilla dhe të vazhdojnë punën për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, thonë nga BDI.

Denoncimin e Ganiut na e konfirmuan edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nga atje thonë se personi V.G ka denoncuar kërcënim nga një person tjetër me iniciale M.H. Për këtë është njoftuar Prokurori publik ndërsa rasti do të ndiqet si padi private.