Përpjekjet e fundit për marrëveshje për Kodin Zgjedhor! Të hënën me gjasë takim i opozitës, pushteti bën thirrje për marrëveshje

TË FUNDIT

Të hënën, dy ditë para skadimit të afatit shtesë për miratimin e Kodit Zgjedhor, është paralajmëruar se Levica do të iniciojë një takim. Siç dihet, partitë në pushtet, në takimin e koordinatorëve të mbajtur të martën, u propozuan partive opozitare që të arrijnë marrëveshje për zgjidhjen e re, përfshirë edhe votimin e diasporës, dhe se ata do të pranojnë gjithçka që do të propozojnë. Sot ata sërish bënë thirrje që të harmonizohen dhe të përshpejtohet dinamika, në mënyrë që të kapet momenti i fundit për përmbushjen edhe të hapit të 10-të të Agjendës së Reformave.

“Platforma e gjithë kësaj që ne po flasim, për të cilën dua të rikujtoj se është pranuar, është që deri më 30.09.2028, organi kompetent për zbatimin e zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, do ta përcaktojë mënyrën dhe të gjitha këto çështje që ata i parashtrojnë në konferenca për shtyp do të tejkalohen dhe zgjidhen. Qoftë për votim elektronik, qoftë për votim me postë, të gjitha këto le t’i dakordojë KSHZ-ja deri më 30.09.2028. Gjithçka që opozita konsideron se do të ishte praktikë e keqe, nuk do ta pranojmë. U lëmë atyre, le ta bëjnë këtë, le ta shkruajnë në tekstin e konsoliduar të ligjit, le ta miratojnë dhe ne e pranojmë”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.

Nga Lidhja Shqiptare insistojnë që të ketë votim të diasporës, përndryshe paralajmëruan se do ta bllokojnë ligjin.

“Gjatë takimeve mujore mes partive për Kodin Zgjedhor, Lidhja Shqiptare kishte propozimet e veta për njësitë zgjedhore, për modelin e financimit dhe për shumë çështje të tjera. Por, ne ishim në funksion të konsensusit. Ajo nga e cila nuk heqim dorë është mundësia që diaspora të votojë në zgjedhjet lokale. Është kaq e thjeshtë. Nëse kjo nuk mundësohet, do të vazhdojmë ta bllokojmë ligjin e nënshkruar nga disa parti”, pohoi Elmi Aziri – deputet, Lidhja Shqiptare.

Opozitarja LSDM përsëriti se e gjithë kjo është përpjekje e Mickoskit për manipulime zgjedhore, ndërsa diaspora, sipas tyre, ka të drejtë të votojë me modelin ekzistues.

“Ne jemi kundër votimit të pakontrolluar, i cili hap hapësirë për vjedhje masive. Votimi elektronik pa kontroll ose votimi përmes postës pa garanci të përshtatshme është gjithashtu i rrezikshëm. Dallimi është vetëm në metodë. Por, më e rëndësishmja nga të gjitha është kjo: Kodi Zgjedhor për Mickoskin nuk është qëllim, por një justifikim. Ai dhe grupi i tij kriminal nuk duan ta miratojnë këtë ligj dhe të kenë alibi pse nuk e përmbushin Agjendën e Reformave”, pohoi Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.

Edhe eurokomisarja Marta Kos, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Mickoski, u bëri thirrje partive që të arrijnë marrëveshje të përbashkët për Kodin Zgjedhor dhe ta votojnë atë në Kuvend.