Përpjekje për shpëtim të marrëveshjes, liderët u pajtuan të negociojnë

TË FUNDIT

Drejtuesit e partive politike pas mesnatës zhvilluan një takim tre orësh në Klubin e deputetëve. Takim i ri, por rezultate konkrete nuk pati. Nën trysninë e diplomatëve evropianë, liderët e VMRO-DPMNE-së, të BDI-së, të LSDM-së dhe të PDSH-së u takuan, me qëllim të shpëtimit të Marrëveshjes së Përzhinos, por përsëri pa sukses.

Marrëveshje konkrete nuk pati. E vetmja gjë pozitive nga takimi, është gatishmëria për vazhdimin e bisedimeve.

Edhe kësaj radhe, i vetmi që ndau kohë për gazetarët, në orët e hershme të mëngjesit ishte ndërmjetësi Peter Vanhaute.”Mendoj se duhet të jemi të durueshëm dhe ta shfrytëzojmë kohën për konsultime dypalëshe dhe për takime në nivel të grupeve të punës. Shpresoj se në ditët në vazhdim, do të arrijmë marrëveshje për të gjitha çështjet”, tha ai.

Në takimin e liderëve, që u mbajt në Klubin e Deputetëve, u bisedua për të gjitha çështjet: për prokurorin special, për ministrat të cilët duhet t’i propozojë opozita, për zëvendësit e tyre, por edhe për ligjin për denoncuesit.

Ministrat e rinj dhe zëvendësit e tyre është dashur që të emërohen qysh më 20 tetor. Të gjitha afatet për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos janë shkelur. Ndërmjetësi Vanhaute, pas takimit të fundit të liderëve, dukej më optimist, por përsëri vuri theksin tek urgjenca e procesit negociues.