Rreth 300 të punësuar të Qendrës Klinike, nga 1 korriku, do të mund të parkojnë në hapësirën e parkimit të kompleksit tregtar dhe afarist “Limak”, me ç’rast do të lirohet hapësirë për qytetarët që vijnë në klinika. Kjo është zgjidhja e përkohshme me të cilën ministri i Shëndetësisë Azir Aliu përpiqet të zgjidhë kaosin me parkimin në Qendrën Klinike, pasi siç theksoi ai vetë, aty qarkullojnë rreth 6.000 njerëz në ditë, prej të cilëve rreth 2.500 janë të punësuar.
Deri më tani, për zgjidhjen e problemit me parkimin në Qendrën Klinike janë bërë disa studime fizibiliteti, por ato kryesisht lidhen me ndërtimin e garazheve në kate. Për një zgjidhje afatgjate, ministri Aliu thotë se nuk mund të flitet tani, sepse siç dihet, ekziston ideja për ndërtimin e një Klinike të re.
“E ardhmja e parkimit duhet të lidhet me të ardhmen e Qendrës Klinike. Deri atëherë, duhet të kemi zgjidhje që do ta përmirësojnë situatën dhe do të gjejmë hapësirë shtesë për parkim. Ky është hapi i parë. Hapi i dytë është hartëzimi i brendshëm – për momentin kemi të hartëzuara 700 vende, ndërsa parkohen nga 2.000 deri në 3.000 automjete. Faktikisht, parkohen në hapësira të gjelbra, në rrugë – dhe kjo duhet të rregullohet”, shtoi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Ministri Aliu paralajmëroi gjithashtu vendosjen e tabelave interaktive, si dhe një aplikacion që do të ndihmojë si shoferët, ashtu edhe qytetarët, për të arritur më lehtë në klinikën apo repartin e caktuar.
