Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete të Shqipërisë. Në Lezhë ka shkaktuar probleme të shumta, kryesisht në zonat urbane, pasi sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve. Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Janë përmbytur edhe toka bujqësore. Probleme raportohen edhe në bashkinë e Kurbinit, gjersa vërshimi i ujit ka shkaktuar probleme në qytetin e Laçit. Në Mat shtëpia e një familjeje prej 8 anëtarësh u përmbyt nga uji, duke detyruar autoritetet të bëjnë evakuimin e tyre. Në disa zona ka mungesë të energjisë elektrike, kryesisht në fshatra.
