Përmbaruesve nuk u konvenon ligji i ri, me 10.7% realizim të kërkesave fituan 4 milionë euro në kurriz të qytetarëve

TË FUNDIT

Me vetëm 10.7% realizim të kërkesave për përmbarim, përmbaruesit arritën fitim prej rreth 4 milionë euro në total. Sipas analizave të portalit pari.mk për shërbimin “pagesë e borxheve” përmbaruesit kanë faturuar rreth 10 milionë euro prej të cilave 4 milionë ishin fitim i pastër për ta. 

“Në krye të listës, sipas raporteve vjetore, është përmbaruesja e Shkupit Vesna Dellovska, e cila ka fitim neto prej 150 mijë eurosh. Njëkohësisht ajo ka marrë numrin më të madh – 8960 kërkesa për përmbarim në vitin 2022 dhe prej tyre ka realizuar vetëm 190. Pason Nikolina Ivanova nga Manastiri, me rreth 140 mijë euro fitim. Në periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar ajo ka pasur 1693 kërkesa për përmbarim prej të cilave ka realizuar 383. Në vendin e tretë është Premtim Qerimi nga Kumanova. Realizimi i gjithsej 517 kërkesave përmbaruese në vitin 2022 i ka sjellë fitim prej 127 mijë eurosh”, raporton Pari mk.

Marijan Ristevski, aktivist për ndryshime në punën e përmbaruesve thotë se numri i ulët i lëndëve të realizuara kundrejt kërkesave bëhet qëllimisht nga përmbaruesit pasi që fitimi i tyre është gjithsesi i kënaqshëm, ndërsa sa më shumë vonohen aq më shumë paguajnë qytetarët. Kjo është edhe arsyeja pse siç thotë Ristevski ata kanë kontestuar ligjin e ri.

“Nëse veç më ndodhë që sepse tani e dimë se avokatët, përmbaruesit dhe disa korporata të tjera e kanë kontestuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo është e tmerrshme sepse edhe më tej do të vazhdojë ky robërim i borxheve. Për këtë shkak publikisht e thërras edhe Ministrin e Drejtësisë që të del dhe tu jep shabllon me çka përmbaruesit do ta shpallin një lëndë të vjetërsuar sipas ligjit që u soll. Sepse kjo që po ndodh, qytetarëve me pensione minimale, paga minimale, raste sociale.. nuk zgjedhin mjetet se si do ti detyrojnë ti shlyejnë borxhet. Për këto presione dhe padrejtësi shpresoj se përmbarues të caktuar do të përgjigjen penalisht”, tha Marijan Ristevski, aktivist për ndryshime në punën e përmbaruesve.

Sipas ligjit të ri, lëndët për përmbarim vjetërsohen për 5 vite, ndërsa kamata gjithashtu nuk guxon të kalojë borxhin kryesor.

Përndryshe, sipas analizave gratë përmbaruese janë më të suksesshme, ndaj në 10 përmbaruesit më të mirë sipas fitimit, vetëm një është mashkull.