Përleshje mes protestuesve dhe mbështetësve të SNS-së në Serbi, Vuçiq: S’do të ketë luftë civile, po merren masa për të “pastruar rrugët”

TË FUNDIT

Për të dytën ditë me radhë, të mërkurën shpërthyen përleshje të dhunshme mes protestuesve antiqeveritarë dhe mbështetësve të qeverisë serbe, në një përshkallëzim të madh pas mbi nëntë muajsh protestash të vazhdueshme kundër presidentit Aleksandar Vuçiq.

Incidenti më i rëndë u regjistrua në qytetin verior të Novi Sadit, ku mbështetës të presidentit hodhën fishekzjarrë dhe mjete piroteknike ndaj protestuesve, pranë selisë së Partisë Progresive Serbe (SNS). Protestuesit reaguan duke thyer xhamat e ndërtesës, ndërsa policia speciale ndërhyri duke formuar kordone sigurie, por tensionet u rritën më tej.

Përplasjet nuk u kufizuan vetëm në Novi Sad. Mijëra njerëz u mblodhën edhe në qytete të tjera. Në Beograd, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat, ndërsa në Kraljevë ndërhyri për të ndarë dy grupe kundërshtare. Protesta u mbajtën edhe në Kragujevc, Çaçak dhe Nish, por nuk është konfirmuar nëse ka të lënduar jashtë Novi Sadit.

Ndërkohë, në Beograd, presidenti Vuçiq iu drejtua përkrahësve të mbledhur në rrugën Kneza Miloša, të cilët e pritën me brohoritjet “Aco, serb!”. Ai tha se situata në Novi Sad ishte e rëndë dhe se kishte shumë të plagosur:

“Lajme të këqija vijnë nga Novi Sadi. Ata sulmuan brutalisht ambientet e SNS-së. Ka shumë qytetarë të plagosur, njerëz që po mbronin shtëpinë e tyre. Policia nuk është askund. Disa morën pushim mjekësor sepse e dinin çfarë po ndodhte. Por jam i sigurt se djemtë tanë të guximshëm do ta shpëtojnë shtëpinë e tyre.”

Vuçiq tha se nuk do të thërrasë për përplasje, por kërkoi respekt edhe për ata që kanë pikëpamje të ndryshme. Ai kritikoi ashpër televizionet N1 dhe Nova S, duke i akuzuar për një “fushatë të ndyrë”. Sipas tij, protestuesit në të gjithë vendin nuk kalonin 4,000 persona, ndërsa mbështetësit e tij ishin “mijëra që nuk sulmojnë askënd dhe duan të jetojnë normalisht”.

Ai i quajti protestat “atentat i shumëfishtë” dhe pretendoi se protestuesit synonin vetëm të sulmonin qytetarë të pafajshëm. Vuçiq tha se kishte tentuar të kontaktonte një prokuror, por pa sukses, duke ironizuar se “ndoshta po pushon në det ose po fle”.

Në fund të fjalimit, ai siguroi se nuk do të përdoret ushtria dhe nuk do të ketë luftë civile, por se po merren masa për të “pastruar rrugët e Beogradit, e më pas edhe të Novi Sadit dhe qyteteve të tjera”.

Protestat në Serbi nisën në nëntor 2024, të udhëhequra nga studentët, pasi shembja e tendës së një stacioni treni në Novi Sad shkaktoi vdekjen e 16 personave. Ngjarja nxiti zemërim publik dhe akuza për korrupsion në projektet shtetërore të infrastrukturës. Lëvizja “Studentët në Bllokim” i ka shtrirë protestat në disa qytete, mes tyre Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevc, Suboticë, Shabac dhe Leskovc.

Fillimisht të fokusuara tek dhuna ndaj qytetarëve, protestat tashmë kanë marrë një karakter politik, me akuza ndaj qeverisë për mbrojtjen e huliganëve dhe mosgarantimin e sigurisë publike.