Përkujtohen policët e rënë në rastin “Lagja e Trimave”, ende mbetet enigmë se kush e nxiti grupin për sulmin e armatosur

TË FUNDIT

Tetë vjet më parë kumanovarët u zgjuan nën zhurmën e të shtënave që vinin nga përleshja e armatosur në Lagjen e Trimave. Një grup prej rreth 40 personash u përballën me forcat shtetërore të vendit. Si pasojë, humbën jetën 8 policë dhe 37 të tjerë u plagosën, ndërkaq grupi humbi 10 persona. Veç kësaj, u shkatërruan edhe dhjetëra shtëpi, pasi luftimet u zhvilluan në lagje urbane.

“Lubisha Rangjelloviq, Boban Ivanovi, Goran Ilievski, Zharko Kuzmanovski, Isamedin Osmani, Sasho Smaillovski, Nenad Serafimovski dhe Goran Stojmenoviq janë heronjtë tanë që e dhanë jetën për diçka më të madhe se vetja”, theksoi Oliver Spasovski – ministër i Brendshëm.

Me këtë rast Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski bashkë me delegacionin nga MPB sot në Kumanovë shpalosi përkujtimoren e 8 policëve të vrarë në maj të vitit 2015. I pari i policisë tha se dhimbjen askush nuk mundet të ua shërojë familjarëve, por që kjo përkujtimore do të tregojë se ata jetojnë përjetësisht.

“Kjo është një përkujtimore e ditës që do të donim të mos ndodhte asnjëherë, që u gdhend në memorien kolektive të bashkëqytetarëve të mi. Unë e di më siguri që kumanovarët e mi nuk harrojnë. As të mirat e aq më pak të këqijat, nuk e harrojnë historinë e as heronjtë që e kanë krijuar, por as nuk harrojnë që fqiu është më i afërt se vllau pa dallim fesë dhe kombësisë”, tha Oliver Spasovski – ministër i Brendshëm.

Sot e kësaj ditë ende mbetet enigmë se cili ishte qëllimi dhe kush e nxiti këtë grup për sulmin e armatosur. Edhe ish komandat i UÇK-së Ali Ahmeti para një viti tha se ende nuk e ka të qartë arsyen, dhe se për këtë rast ka kërkuar hetim ndërkometar.

 “Nuk kam ditë fare që ata kanë hyrë në Maqedoni, nuk kam ditur fare ku janë strehuar, kush i ka strehuar, kush i ka drejtuar… dhe për mua këtu mbetet enigma, sepse ata që kanë qenë në krye të kësaj pune, ata të dytë nuk janë më. Po flet për Begun dhe Mirsadin. Këto që janë në vuajtje të dënimit nuk e di sa dinë që të thuhet e vërteta. Unë kam kërkuar që në fillim Hetim nderkombetar”, pohoi Ali Ahmeti – ish komandat i UÇK-së dhe kryetar i BDI-së.

Përndryshe epilogu i rastit “Lagjja e Trimave” mbaroi me gjithsej 746 vjet burg dhe 7 dënime me burg të përjetshëm për veprën “terrorizëm” dhe 4 persona janë liruar nga akuza.