PËRKRAHJA E KANDIDATËVE NGA ZYRTARË TË JASHTËM, PAMÇEVSKI: JANË TËRËSISHT NORMALE KËTO MBËSHTETJE

TË FUNDIT

Vazhdon përfshirja e figurave të jashtme politike në fushatën e kandidatëve për president. Mbrëmë në fushatën zgjedhore në Kërçovë tek kandidatja për presidente Gordana Siljanovska ishte Betina Raush nga radhët e Partisë Popullore të Austrisë.

“Dua të them faleminderit Gordana, Hristijan dhe të gjithë juve këtu për pritjen e përzemërt që na e bëtë. Jemi krenar që jemi pjesë e kësaj ngjarjeje dhe fushatës tuaj. Jemi shumë të lumtur që jemi sot këtu me ju sepse të gjithë ne e duam fushatën, veçanërisht sepse ne kishim një fushatë të suksesshme së bashku me Sebastian Kurz në vitin 2016 dhe shpresojmë të sjellim fat edhe këtu në vendin tuaj”, u shpreh Betina Raush, nga Partia Popullore e Austrisë.

Mbështetje të tillë para disa dite kishte edhe kandidati për president Blerim Reka, ku në tubimin e organizuar me qytetarë në Kumanovë i pranishëm ishte Albin Kurti si lider i Vetëvendosjes. Raste të tilla kishte edhe gjatë referendumit për çështjen e emrit ku përfaqësues të lartë amerikanë dhe evropianë vizituan vendin.

Specialisti për marrëdhënie me publikun, Goce Pamçevski, tha se një gjë e tillë në marketingun politik nuk është diçka jo normale. Ai shtoi se  shfrytëzimi i brendeve ose personaliteteve politike bëhet për të arritur deri tek vota e qytetarëve.

“Nëse thirrja për pjesëmarrje e mysafirit është në funksion për shitjen e vlerave, brendit pra kandidatit tonë dhe shfrytëzohet në suaza etike dhe standardeteve profesionale, atëherë ajo është një taktikë normale. Në gjithë këtë proces politik të komunikimeve dhe shfrytëzimin e fytyrave të njohura në fushatë duhet të  kenë kujdes në aspektet etike dhe profesionale. Duhet të mos përdoret gjuha e urrejtjes, të mos përdoren gënjeshtra, të mos i sjellin qytetareve huti dhe qytetarët të mos ushqehen me energji negative”, deklaroi Goce Pamçevski, specialist për marrëdhënie me publikun.

Pamçevski vlerëson se ky lloj marketing politik si  shfrytëzimi i fytyrave të njohura politike në skenë përdoret gjithkund nëpër botë dhe nuk është diçka e re tek ne,  por duhet të kihet kujdes në zgjedhjen e personaliteti se sa ai përshtatet me kandidatin që e promovon. Nëse mesazhet që përcillen në fushatë janë vetëm për të diskredituar kundërkandidatin atëherë, sipas Pamçevski ajo është thjeshtë një propagandë.

Përgatiti: Valmira Zendeli