Ora policore, karantinat lokale dhe mbyllja e komunave ka dhënë rezultat në përballjen me Kovid-19. Në periudhën pas shfuqizimit të këtyre masave, numri i rasteve të reja është rritur në mënyrë rapide. Nga analiza e bërë nga TV21, në 15 javët e fundit mund të sillet përfundim se në periudhën pas shfuqizimit të masave restriktive, numri i rasteve të reja në nivel javorë ka arritur deri në 250 raste, ndërsa në 11 javët e fundit, mesatarja e rasteve të reja në nivel javorë është 960 të infektuar.
Pikërisht këto numra ndezën alarmin te autoritetet shëndetësore të cilët si një ndër faktorët kryesorë për rritjen e numrit e cilësojnë mosmbajtën e pajisjeve mbrojtëse.
“Megjithatë ajo që më brengos është mosrespektimi i vazhdueshëm i masave nga qytetarët dhe diçka që vazhdimisht e themi – institucionet që duhet të kontrollojnë dhe që duhet të sanksionojnë, duhet të kryejnë punën e tyre”, u shpreh Zharko Karaxhovski, epidemiolog.
Ndërsa institucioni që duhet të sanksionojë është Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas evidencave të tyre, në nivel ditor mesatarisht dënohen 440 persona për mosmbajtjen e pajisjeve mbrojtëse. Nuk ka të dhëna se në cilin vend janë shqiptuar më së shumti dënime.
Respektimi i masave do të thotë edhe mbështetje e personelit mjekësor, të cilët thonë se nuk kanë rezerva dhe se me muaj të tërë punojnë me ritëm të pandërprerë. Gjatë vjeshtës pritet që të shfaqen edhe sëmundjet tjera respiratore, që do të thotë ngarkesë shtesë për sistemin shëndetësor.
“Ne jemi të vetëdijshëm se në periudhën vjeshtë-dimër vjen virusi respirator. Kjo do të thotë se nga tetori e më tej fillojnë virozat, viruset respiratorë, para influenza dhe influenza . Kur do të vijë influenza kjo do të thotë rreth festave të fund vitit dhe krishtlindjes, do të ndodh vala e dytë ku me siguri do të kemi kapacitet më të lartë të hospitalizimit të të sëmurëve dhe situata do të komplikohet”, theksoi epidemiologu, Zharko Karaxhovski.
Për këtë shkak tashmë mendohet edhe për vendosjen e masave të reja restriktive në periudhën që vijon, të cilat, sipas informacioneve, do të jenë në nivel lokal, përkatësisht atje ku ka numër më të lartë të rasteve të reja. Për momentin me mbi 200 të infektuar janë: Gostivari, Kumanova, Shtipi, e më pas vijojnë qytetet Struga, Tetova, Kërçova dhe Kavadari, që kanë deri në 200 raste aktive.
