PËRFUNDON “DRAMA” VENDIMI I TALAT XHAFERIT FINAL, NUK MBLIDHET KUVENDI!
Gepostet von TV21 am Mittwoch, 6. Mai 2020
Më shumë se dy javë zgjati debati për atë se a duhet apo jo deputetët të rikthehen në Kuvend. Por kësaj drame i dha fund Gjykata Kushtetuese e cila nuk shqyrtoi aktin e shpërndarjes së Kuvendit më 16 shkurt, e cila ishte kërkuar nga gjykatësi, Osman Kadriu.
Motivi i gjykatësit Kadriu ishte i thjeshtë, të rikthehet Kuvendi për të stabilizuar funksionimin e institucioneve, njoftoi sekretari i Kushtetueses, Aleksandër Llazov.
Aleksandër Llazov, Sekretar i Gjykatës Kushtetuese:
“Debati për këtë çështje ka zgjatur 1 orë e gjysmë dhe të gjithë nëntë gjykatësit kanë krijuar qëndrim se nuk ekzistojnë kushte të pranohet kjo iniciativë. Do të thotë iniciativa nuk është pranuar. Motivi, në esencë ishte ajo që u publikua në media, se vendimi nuk është përmbajtësor në aspekt ligjor se janë bllokuar institucionet”.
Një përpjekje për rikthim të kuvendit ishte bërë nëpërmjet një iniciative të dorëzuar në Kuvend nga deputetët e LSDM-së, ASH-së, Alternativës, PDSH-së dhe Lëvizjes Besa.
Iniciativa kishte për qëllim të thirrej seancë urgjente me dy pika të rendit të ditës: Verifikim i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe vazhdimit të saj nga presidenti Stevo Pendarovski. Seanca nuk u thirr nga kryeparlamentari Talat Xhaferi i cili pohon se Kuvendi i shpërbërë nuk mund të rimblidhet sërish, e nëse deputetët përpiqen të thërrasin Kuvendin pa vendimin e kryeparlamentarit, siç u tha nga disa ekspertë, kjo sipas Xhaferit do të përbënte “grusht shtet”.
“Ky është grusht-shtet, dhe asgjë tjetër. Parlamenti është i definuar në Kushtetutë, organ përfaqësues i qytetarëve. Nuk është organ përfaqësues i ku ta di se kujt. Qytetarët japin mandat për katër vjet, i cili mund të zgjatet vetëm nëse në periudhën e zgjedhjeve, në 90 ditët e fundit shpallet gjendje e jashtëzakonshme ose lufte”, tha Talat Xhaferi, Click Plus.
Këtë deklaratë nga LSDM thanë se do ta respektojnë, por kërkuan që përgjigjja e iniciativës të jetë me shkrim, e jo nëpërmjet mediave. As sot nuk ka përgjigje me shkrim.
“Sikur edhe deri tash, ashtu edhe më tej do ta respektojmë në tërësi qëndrimin e kryetarit të Kuvendit, por ne konsiderojmë se si deputetë më së paku që duhet të ndodh, është të marrim përgjigje nga kryetari i Kuvendit në kërkesën me shkrim e cila është dorëzuar në mënyrë formale dhe jo të marrim përgjigje nëpërmjet mediave”, tha Snezhana Kaleska – Vançeva, LSDM.
Përndryshe, tërë kjo dramë po vjen në kohë kur shteti është në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së virusit korona, e cila ka prolonguar edhe mbajtjen e zgjedhjeve që duhej të mbaheshin më 12 prill.
