Studiot e Televizionit 21 këto 2 javë u bënë arena më e madhe e debateve parazgjedhore për Parlamentaret 2020. Këtu u përballën kandidatët për deputetë, ku prezantuan programet e tyre zgjedhore, premtuan projekte me të cilat synojnë ta përmirësojnë jetën e qytetarëve. Herë më qetë, e herë më zëshëm, argumentuan se pse ata duhet ta fitojnë besimin e qytetarëve më 15 korrik.
Krahas kandidatëve për deputetë nëpër zona zgjedhore, në po këtë studio, kokë më kokë u intervistuan edhe krerët e partive politike shqiptare. Këtu folën për synimet dhe vizionin e tyre, foli kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, ata të koalicionit “Tash është koha”, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, kreu i Besës në kuadër të koalicionit “Mundemi”, Bilall Kasami dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Shpresojmë që përmes këtyre debateve dhe intervistave të kemi zbuluar më shumë dhe për t’i bërë më të qarta për ju idetë dhe planet e kandidatëve, e ndoshta që ta keni edhe më lehtë për të vendosur më 15 korrik se cilin numër do ta rrethoni.
