Përfundoi debati në ditën e dytë për ribalancin e Buxhetit

TË FUNDIT

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut e përfundoi debatin në ditën e dytë për ribalancin e Buxhetit për vitin 2021, në kuadër të seancës së 47-të.

Deputetët nga opozita gjatë debatit thanë se ribalanci i Buxhetit nuk është zhvillimor, se po shkurtohen harxhimet kapitale, ndërsa po rriten harxhimet materiale. Ata kanë vërejtur se Qeveria po udhëheq politika të gabuara ekonomike, të cilat kanë bërë që qytetarët të bëhen më të huazuarit në histori, ndërsa ekonomia të jetë në krizën më të madhe.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, dje tha se investimet kapitale kryesisht rriten në strukturën e buxhetit dhe arrijnë deri 11,1 për qind për dallim nga nëntë vitet paraprake, kur kanë qenë 9,5 për qind. Nëse krahasohemi me vitet e tjera, siç tha ai, realizimi i investimeve kapitale ka qenë pothuaj 55, 60, 70 për qind, ndërsa këtë vit janë realizuar 81 për qind.

Ai, në fjalimin e tij tha se ribalanci i propozuar i Buxhetit i pasqyron politikat ekonomike dhe sociale që do t’i zbatojë Qeveria, të cilat janë të orientuara drejt realizimit të qëllimeve kyçe, të konfirmuara me prioritetet strategjike.

Besimi theksoi se shëndeti i qytearëve, ekonomia e shëndoshë, si dhe financat dhe shoqëria e shëndoshë mbeten prioritetet kyçe për këtë vit.

Të hyrat e përgjithshme me ndryshimet dhe plotësimet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, janë planifikuar në nivel prej 222.5 miliardë denarë ose për 4.7% më të larta se projeksionet fillestare të Buxhetit. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 268.8 miliardë denarë ose për 8.6% më shumë në raport me planin. Të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, paraqesin deficit në vlerë prej 46.2 miliardë denarë, përkatësisht 6.5% nga BPV-ja.

Të hënën Kuvendi do ta vazhdojë debatin për ribalancin e Buxhetit.