Përfundoi autopsia e trupave të Vanjës dhe Pançes, babai i së miturës në paraburgim për 48 orë

TË FUNDIT

Në Institutin për Mjekësi Ligjore dhe Kriminologji ka përfunduar autopsia e trupave të 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi. Megjithatë raporti i cili pritet të hedh dritë mbi hetimin dhe të përcaktojë shkaqet e vdekjes së tyre, ende nuk është gati dhe nuk është dorëzuar në Prokurori.

Për babain e Vanjës i cili llogaritet si një nga pesë të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga ana e Gjykatës Penale. E pasi kaloi 24 orë në stacion, ai u zhvendos mbrëmë në burgun hetues.

Për të dyshuarin kryesor, i cili është në arrati, Lupço Palevskin, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur fletarrest ndërkombëtar.

 “Lupço Palevski i lindur më 12.12.1964 në Shkup kërkohet me fletarrest ndërkombëtar për hetim për vepra penale ‘grabitje’ dhe ‘vrasje’ me urdhër XV KO numër  3047/23 nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup”, thonë nga MPB.

Për të katër të dyshuarit për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska pritet urdhër hetimi dhe propozim për paraburgim prej 30 ditësh.

Kryeministri Dimitar Kovaçeski i pyetur për situatën, nuk deshi të komentoj hetimin i cili ende po vijon, por apeloi që situata mos të përdoret për pikë politike ose nxitje të urrejtjes ndëretnike.

“Kohë më të gjatë jemi të ekspozuar ndaj disa individëve, grupeve dhe partive që përhapin urrejtje në mes të qytetarëve mbi baza të ndryshme, gjithashtu përhapin histeri mbi baza nga më të ndryshmet. Shteti në pajtueshmëri me ligjet duhet t’i sanksionojë, e kam fjalën për organet e drejtësisë dhe hetuesisë, si dhe prokurorisë, sepse përgjegjësia ka emër dhe mbiemër”, pohoi Dimitar Kovaçevski – kryeministër.

Trupat e Vanjës dhe Pançes janë gjetur në afërsi të Shkupit dhe Velesit. Më herët, si vajza ashtu edhe burri u raportuan të zhdukur në polici. Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë, të dy nuk ishin të lidhur, por të njëjtët persona dyshohen për rrëmbimin dhe vrasjen e tyre.