Komisioni për sëmundje ngjitëse po riformatohet, duke iu bashkangjitur edhe anëtarë të tjerë. Përbërja e re e ekspertëve shëndetësor nesër do të mbajë mbledhjen e parë. Këtë iniciativë e ka ndërmarrë ministri i ri i Shëndetësisë, Bekim Sali, i cili përmes Facebookut u bëri ftesë tre profesorëve të njohur, që tu bashkëngjiten Komisionit në fjalë.
Bëhet fjalë për Dr. Nikolla Panovski, Dr. Dragan Danillovski dhe Dr. Velo Markovski, të cilët ende nuk kanë dhënë përgjigje pasi që, siç thonë, presin ftesë zyrtare. Minisitri Sali nuk precizoi sa anëtare do të ketë ky komision, por tha se me rëndësi është cilësia e kuadrove, duke shtuar se komisionit do t’i shtohen edhe përfaqësues shqiptarë.
“Disa ekspertë janë të ftuar përmes institucioneve, disa janë thirrur publikisht sikurse rasti i djeshëm dhe disa në mënyrë direkte. Nuk ka protokoll ose mënyrë për t’ju drejtuar dikujt ose për ta ftuar që të përballemi bashkërisht kundër një pandemie. Kemi përgjigje pozitive nga shumë ekspertë dhe së shpejti, gjatë ditës së nesërme do ta kemi edhe takimin e parë me përbërjen e re të komisionit”, tha Sali.
Në pyetjen se apo mendon ministria e shëndetësisë të propozojë shfuqizimin e masës për kërkim të certifikatave të vaksinave gjatë hyrjes nëpër objekte gastronomike, Sali tha se nuk do ta bëj këtë. Ai apeloi te qytetarët që nuk janë vaksinuar, të mos i keqpërdorin certifikatat e huaja.
“Falsifikimi i një dokumenti bartë përgjegjësi penale, tani për tani vlejnë të gjitha masat që janë paracaktuar në periudhën e kaluar dhe ende i kemi aktive masat, le të jetë ky një apel deri te të gjithë ata që eksperimentojnë dhe hyjnë në objekte hotelierike, apo restorante dhe qendra tregtare, mos t’i keqpërdorin certifikatat e huaja për arsye se mund të bartin edhe padi penale”, tha Sali më tej.
Komisioni për sëmundje ngjitëse është organ këshillëdhënës, në përbërjen e të cilit përfshihen ekspertë shëndetësor, të cilët propozojmë masa efikase për luftën kundër pandemisë, në pajtim me gjendjen epidemiologjike.
