Ideja e krerëve të ASH-së dhe BDI-së, Arben Taravari e Ali Ahmeti që presidenti i shtetit të zgjidhet përmes Kuvendit me 2/3 e votave e jo përmes votës nga qytetarët, me duket nuk do të jetë e pranueshme nga partitë politike maqedonase. Kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, nuk deshi të komentojë, sepse e konsideron si pjesë e fushatës zgjedhore. Thotë se gjëra të tilla të rëndësishme duhet të miratohen me 80 vota në Kuvend dhe nuk varet vetëm prej tyre.
“Shihni, së pari sa i përket asaj që deklarojnë tani politikanët do të dëgjojmë shumë deklarata. Për këtë nuk do t’i komentoj. Tani ndodhemi në prag të fushatës zgjedhore. Të gjithë japin premtime të ndryshme. Disa prej tyre do të propozojnë gjëra të cilat nuk varen vetëm prej tyre. Përshembull nëse ju flisni për ndryshim të Kushtetutës, ajo bëhet me 2/3”, tha Dimitar Kovaçevski – kryetar i LSDM-së.
Kundër kësaj ideje është opozitarja VMRO-DPMNE. Sipas tyre, funksioni më i lartë në shtet është presidenti i shtetit, dhe i njejti gjithmonë duhet të zgjidhet përmes zgjedhjeve.
“Funksioni më i lartë sipas titullit në shtet është Presidenti i shtetit. Ju e dini se tek ne fuqia eksekutive është tek Qeveria dhe kryeministri por sipas titullit presidenti është funksioni numër 1 në shtet. Patjetër duhet të zgjedhet përmes zgjedhjeve. Sepse kjo është kulmi i demokracisë. Kështu veprojnë shtetet më demokratike të botës. Çdo përpjekje për suspendimin e demokracisë është përpjekje për lënien e popullit jashtë procesit për vendimmarrje”, pohoi Aleksandar Nikollovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Këtë ide nuk e mbështetë as kandidati tjetër për president, kryetari i Lëvizjes “Znam”, Maksim Dimitrievski. Sipas tij, Kushtetuta nuk është një letër e cila duhet të ndryshohet vazhdimisht. Thotë se Maqedonisë i duhet një president i cili do të ishte garantues i sovranitetit dhe Kushtetutës.
Përndryshe siç njoftoi sot zëdhënësi i BDI-së Arbër Ademi, thelbi i idesë është që presidenti të mund të zgjedhet në Kuvend me 2/3 e vota dhe me shumicën e badenterit për të siguruar konsensus shoqëror dhe ndëretnik, në mënyrë që siç thonë, të parandalohet mbivotimi etnik dhe imponimi vetëm nga dy partitë më të mëdha politike maqedonase.
