Për shkak të variantit Omicron, Gjermania mbyll kufijtë për udhëtarët nga Britania e Madhe

TË FUNDIT

Për shkak të variantit Omicron Gjermania nga sonte do t’i mbyll kufijtë e saj për udhëtarët nga Britania e Madhe.

Kufizimet për udhëtim hyjnë në fuqi sonte në mbrëmje. Shumica e udhëtarëve nga Mbretëria e Bashkuar nuk do të mund të hyjnë në shtetin gjerman, përveç shtetasve gjerman, të cilët duhet të kenë test negativ gjatë kalimit të kufirit dhe të kalojnë dy javë në karantinë pa dallim nëse janë të vaksinuar.

Instituti “Robert Koh” i vendosi këto kufizime të reja sepse e shpalli Mbretërinë e Bashkuar rajon me rrezik të lartë nga përhapja e Covid-19.

Përveç Britanisë, në listën e vendeve me rrezik të lartë janë edhe Danimarka, Franca, Norvegjia dhe Libani, ndërsa udhëtimet nga këto vende gjithashtu do të kufizohen.

Këshilltarët shkencorë britanik paralajmërojnë se në Angli, nëse nuk vendosen masa plotësuese, mund të ketë nga 3.000 të hospitalizuar për një ditë.

Në Britani të Madhe dje janë regjistruar 90.418 raste të reja të infektimit me Covid-19.

Autoritetet franceze të shtunën, për shkak të brengës rreth variantit Omicron, e ndaluan  arritjen e turistëve britanik. Sipas rregullave të reja, qytetarëve nga Mbretëria e Bashkuar tani u nevojitet “arsye e justifikuar” për të hyrë në Francë dhe nuk u është lejuar të udhëtojnë për qëllime turistike apo afariste.

Transportuesit dhe shtetasit francezë janë të përjashtuar nga kjo dispozitë.