“Formalisht deklaroj se takimi i tridhjetë i këshillit ministror të OSBE-së është i hapur”
Duke folur para 57 delegacioneve dhe rreth 1000 pjesëmarrësve në Këshillin e 30-të Ministror të OSBE-së, kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevskit, tha se Maqedonisë së Veriut i ra hise një ndër kryesimet më të vështira me këtë organizatë për shkak agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Vizioni i OSBE-së si platformë për siguri koperative dhe gjithëpërfshirëse, ishte seriozisht e testuar në realitet, e më së shumti e ndjerë nga qytetarët ukrainas. Agresioni ushtarak i Federatës Ruse mbi Ukrainën, vazhdoi me intenzitet dhe me pasoja dëshpëruese, duke konfirmuar padrejtësinë dhe mosarsyetimin”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.
Kryesuesi i OSBE-së, ministri Bujar Osmani, u drejtua në tre pika kyçe të cilat shënuan kryesimin e vendit me OSBE-në. Mbështetja nga OSBE për Ukrainën e cila përballet me agresionin rus, përforcimi i OSBE-së dhe e ardhmja e saj, si dhe përkujdesi për njerëzit si fokus i punës së OSBE-së. Osmani bëri thirrje që OSBE duhet të nxitë multiratelizmin dhe njerëzit të jetojnë lirshëm.
“OSBE duhet të vazhdojë të shërbejë si një platformë aktive për llogaridhënie në një kohë kur tensionet dhe konfliktet janë në rritje. Nuk duhet të harrojmë se OSBE-ja është e angazhuar në të gjithë rajonin dhe po punon për zgjidhjen e nevojave të njerëzve. Na janë besuar mandate të rëndësishme për t’iu përmbajtur parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së, përderisa përballemi me sfida të ndryshme në Evropën Lindore, Evropën Juglindore dhe Azinë Qendrore. OSBE-ja mbetet aktive në të gjitha nivelet në shoqëritë tona, duke kontribuar në sigurinë e gjithanshme për të gjithë”, pohoi Bujar Osmani, kryesues i OSBE-së.
Fjalim mbajti edhe kryetarja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Pia Kauma, e cila përshëndeti angazhimet e Maqedonisë së Veriut për shoqëri multietnike, si dhe angazhimet pozitive ndaj vendeve të saj fqinje. Për të ardhme më të mirë me OSBE-në, shpreson edhe sekretarja gjenerale e Organizatës, Helga Maria Shmidt.
