Sipas asaj që deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, të gjitha koncesionet që janë aktive në pjesën e Malit Sharr do të kenë kohë një vit për shqyrtim të vendimit për tërheqje.
“Vendimi parasheh që mos të jepen vendime të reja në infrastrukturë. Ata që kanë filluar, atëherë ministritë e përfshira në dhënien e koncesioneve, kanë afat një vit të negociojnë me kompanitë që kanë filluar punimet ose kanë koncesione të tërhiqen kjo me qëllim që mos të dëmtohet shteti në mënyrë fiskale”, tha Nuredini, transmeton TV21.
Kjo vjen pasi Qeveria mbrëmë miratoi edhe një vendim, që deri te miratimi i Ligjit në Kuvend Mali Sharr të jetë në mbrojtje, në mënyrë që të parandalohen vendimet të reja për dhënien e koncesioneve në territorin e zonës.
“Zgjidhja duhet të përgatitet dhe dorëzohet në dy javët e ardhshme”, shtoi më tej Nuredini.
Ai sqaroi se kjo nënkupton se me investitorët aktualë, do të ulet të negociojnë ai dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi./TV21
