30 fshatra përfshihen në zonën e mbrojtur të Malit Sharr si park nacional, tha Nuredini

TË FUNDIT

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini në paraqitjen e tij para mediave ka treguar rëndësinë e shpalljes së Mali Sharr si park nacional.

Ka deklaruar se në rast se vendimi i miratuar mbrëmë nga Qeveria kalon edhe në Kuvend, kjo do të ketë rëndësi të madhe.

“Më themelorja është mbrojtja e natyrës së pastër dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore. Mali Sharr ka biodiversitet që është i rëndësishëm nga pikëpamja nacionale, dhe bëhet detyrim mbrojtja e tij në përputhje me konventat ndërkombëtare”, tha Nuredini, transmeton TV21.

Mbrojtja do të mundësojë edhe mbrojte të resurseve të cilat do të mundësojnë në zhvillimin e zonës së Malit Sharr, sqaroi më tej Nuredini.

Ndërkaq, njoftoi se në këtë vendim të shpalljes si park nacional, hyjnë edhe fshatrat përreth, kjo me qëllim që të zhvillohet turizmin në këtë zonë.

“Përfshihen 30 fshatra dhe territori mbulon mbi 62 mijë hektarë”, tha Nuredini.

Parku Nacional i Sharrit duke krijuar lidhjen me parqet tjera nacionale, do të krijojë zonën më të madhe ndërkufitare të mbrojtur në Evropë./TV21