Për një muaj nisë ndërtimi i fabrikës “E-Go” në Tetovë e cila parashihet të krijojë 900 vende të reja pune. Kjo kompani për prodhimin e veturave elektrike do të ndërtohet në hapësirën e Zonës teknologjike industriale zhvillimore të Tetovës. Këtë e paralajmëroi në emisionin Click Plus, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
“E-Go është kompani shumë serioze, është brend në Gjermani. Të presim sepse është nënshkruar marrëveshja. A e di se kur fillon ndërtimi ministër? Po e di me siguri, jam i informuar nga Drejtoria e Zonave të lira ekonomike, nuk do të kalojë më shumë se një muaj dhe do të nis ndërtimi, në bazë të Drejtorisë së Zonave të lira ekonomike të cilët merren me këtë çështje”, tha Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë.
Objekti i këtij projekti kapital duhet të niste të ndërtohej në tetor të vitit të kaluar, ndërsa nga vënia e gurthemelit kanë kaluar 6 muaj. Në Zonën e Zhvillimit Teknologjik-industrial në Tetovë u desh të bashkohen 4 parcela për t’i ofruar hapësirën e duhur projektit, siç u promovua gjigant me një investim total prej 130 milion eurove. Drejtori i ZTIZh Jovan Despotoski tha se ka pasur problem me parcelën ku u vu gur themeli dhe se tani është gjetur zgjidhja në një parcelë tjetër dhe premtoi se do të përfundojnë në afatin e paraparë, në vitin 2024.
“Gjetëm zgjidhje që nënkupton bashkim të katër parcelave tjera, jo parcela ku ishte gurëthemeli po pranë saj, faktikisht këto parcela kanë pamje kah autostrada. Procedura për bashkim mendoj se është kah fundi dhe atë që di është gjithashtu se vetë kompania bisedon me disa kompani vendore për pjesën e punëve ndërtimore kështu që mendoj se relativisht shpejt do të fillojnë punët në terren”, pohoi Jovan Despotovski – drejtor i ZTZHI.
Sipas Despotovskit ky investim do ta përforcojë perceptimin për RMV-në për investime të ardhshme edhe më serioze. Përndryshe kompania është gjermane, ndërsa fabrika pritet të ka një kapacitet prodhimi prej 30 mijë makina në vit. Projektin e këtij investimi kapital e paralajmëruan në gusht të vitit të kaluar kryeministri Kovaçevski, Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, disa ministra si dhe investitori Lazim Destani.
