Dy pronarët francezë të barit në Crans-Montana, ku shpërtheu zjarri fatal natën e Vitit të Ri, janë intervistuar nga hetuesit, tha prokurorja e kantonit të Valais, Beatrice Pilu.
Deri tani, të gjitha dëshmitë janë se zjarri ka nisur nga fishekzjarrët që ishin ngjitur me shishe shampanje dhe që ishin shumë afër tavanit. Ata janë ndezur shpejt dhe më pas flaka u përhap shumë shpejt në të gjithë objektin, tha Pilu.
Sipas prokurores, hetuesit janë gjithnjë e më shumë të prirur të besojnë se shkak për zjarrin ishin fishekzjarrët që përdoren për tortat e ditëlindjeve dhe që shiten në çdo dyqan, por deri tani nuk mund të thuhet asgjë me siguri.
Ende nuk është përcaktuar kush do të mbajë përgjegjësi penale për tragjedinë në bar, shtoi prokurorja dhe tha se nuk mund të tregonte kur është realizuar inspektimi i fundit i zjarrit atje.
Ajo deklaroi në një konferencë shtypi se personat që ishin thirrur të jepnin informacion nuk ishin dëgjuar si masë paraprake, sipas Sky News.
– Nëse ka rrezik nga arratisja, mund të marrim masat e nevojshme, por për momentin nuk është përcaktuar përgjegjësia penale, tha ajo.
Pronaret e barit janë një çift nga Korsika, të cilët kanë disa restorante në këtë pjesë të Zvicrës.
Hetimi gjithashtu fokusohet nëse izolimi akustik i tavanit të barit ka luajtur ndonjë rol në përhapjen e flakës. Po ashtu, policia në Crans-Montana njoftoi se deri tani nuk ka pasur raporte për ndonjë parregullsi të sigurisë në bar.
