2-3 orë para orës policore, qytetarët në Shkup kanë vërshuar nëpër markete dhe tregje për tu furnizuar me produkte ushqimore për 61 orët e ardhshme që do t’i kalojnë në izolim. Në pyetjet e Tv 21, qytetarët thonë se kishin dalur të blejnë pemë, perime, mish si dhe asortimente higjienike. Disa e kanë marrë më seriozisht, madje thanë se qysh dje kanë filluar me blerjet, ndërsa të tjerët thanë se nuk e kanë tepruar, por kanë blerë vetëm disa gjëra më kryesore.
Qytetar: “Është e vështirë, unë mundem një ditë të duroj por më shumë jo… Edhe pushim kur marr 1 ditë mbahen pastaj të dytën më kap kriza. Radhë për pritje ka gjithkund, ajo që më duhet për këto dy ditë, nuk harxhoj shumë si të tjerët që bëjnë magazinë”.
E një qytetar thotë se është i përgatitur deri në dhëmbë për dy ditët e ardhshme.
Qytetari: 100 % i përgatitur deri në dhëmbë. Gjithçka që duhet për shtëpi.
TV21:A pritet rend?
Qytetari: Jo nuk prita, jam përgatitur.
Për një qytetare, izolimi nuk është diçka e re dhe u shpreh se mund të durojë vetëm për të shpëtuar nga kjo pandemi.
Qytetare: “Asgjë e re asgjë e frikshme, edhe ashtu ishim në izolim. Vetëm le të kalojë, çka do që të jetë nuk do të jetë e vështirë për të duruar.”
Qytetar: “Mesatarisht, si gjithmonë. Asgjë të tepruar asgjë shumë, vetëm gjërat elementare.”
Tv 21 pyeti edhe disa shitës, nëse këto ditë kanë më shumë se ditëve tjera. Njëri tha se i është shtuar puna ndërsa për tjetrin shitës është e njëjtë. Ndërsa qytetarët në përgjithësi dalin të blejnë gjerat pas orës 11 dhe deri nga ora 13.
Shitës: “Jo është normal si edhe çdo ditë tjetër pune. Ajo që ju duhet njerëzit e marrin, nuk blejnë diçka për rezervë.
Shitës: “Tani puna ka më shumë leverdi, për shkak se kanë frikë dhe janë të mbyllur dhe njerëzit blejnë më shumë. Shitje ka, kohëve të fundit kemi shitur , brenda këtij muaji kemi ndoshta sa gjithë sezona e dimrit”.
Për herë të parë i gjithë vendi do të jetë në orë policore gjatë gjithë fundjavës deri të hënën në mëngjes. Gjatë orës policore farmacitë do të punojnë pa ndërprerë. Pa ndalesa në lëvizje vlejnë janë policia, armata, punonjësit shëndetësorë dhe gazetarët. Marketet do të punojnë vetëm nëse ka leje nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
