Për dikë shtrenjtë, për dikë e pamundur! Të gjithë bien dakord se pushimet janë shtrenjtuar

TË FUNDIT

Në një periudhë me temperatura të larta dhe ditë festash, në Tetovë pyetëm qytetarët nëse kanë qenë në pushime verore dhe nëse planifikojnë të shkojnë diku. Mundësitë nuk i kanë të gjithë njëlloj. Një pjesë e qytetarëve thonë se nuk kanë mundësi financiare, ndërsa të tjerët, që kanë qenë, theksojnë se çmimet janë të larta dhe nuk mund të bësh pushime me pak para.

 “Ku të shkojmë me pushime? Çfarë na jep shteti… 18 mijë denarë e kam pensionin. Nuk ka shanse, edhe në dyqan nuk mund ta nxjerrësh muajin deri në fund.”

 “Po, do të shkoj. Diku më afër, sepse nuk ka financa. Flas për brenda Maqedonisë, ndoshta në Strugë ose Ohër për një, dy ose tre ditë. Kushtet janë të tilla.”

 “Kemi qenë para dy javësh në Kroaci. Shumë mirë ishte, por çmimet janë të larta gjithkund. Nuk ka më lirë askund.”

Nga agjencitë turistike thonë se këtë vit interesimi më i madh është për në Turqi, Egjipt dhe Tunizi, por nuk mungon as ai për bregdetin shqiptar.

 “Interesimi më i madh është për në Turqi. Nuk mungon as për Egjipt dhe Tunizi, por po ashtu ka kërkesa edhe për Shqipëri dhe Mal të Zi”, tha Besim Raufi – Agjenci Turistike.

Sipas agjencive turistike, këtë vit ka një rritje të lehtë të çmimeve. Për një familje katër anëtarëshe, çmimet fillestare nisin nga 1.500 euro e më lart, si për bregdetin e Turqisë, ashtu edhe për atë të Shqipërisë.