Duke aluduar tek të pakënaqurit e BDI-së të njohur si grupi i zjarrit, kreu i integristëve Ali Ahmetin nga takimi me qytetarët e Gostivarit u shpreh se zjarri në parti është i vogël, gjë që e bëri gjithë sallën të qeshë.
“Është i vogël ai zjarri, pak është, nuk shumë”.
Tregoi se 20 vite është ballafaquar me probleme të tilla, por shtoi se me ultimatume gjërat nuk bëhen!
“Për 20 vite unë i kam pas këto telashe, por nuk janë bë të mëdha, tash kanë dalë me konferenca. Nevzatin e kemi shok, por ai gabon. Edhe ai Musa im gabon. E kam pas shok 50 vjet, por edhe ai gabon s’e ka mirë, sepse gjërat trajtohen brenda shtëpisë dhe nuk mund të zgjidhen me ultimatume. Me ultimatum nuk bëhet. Të më drejtohet ultimatumi nga televizor, bën kështu, bën ashtu, nuk bëhet. Jo! Urdhëro ulu te shtëpia, i bisedojmë, sepse këto problem unë i kam pasur 20 vite”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Talat Xhaferi, duke ju përgjigjur disa deklaratave të bëra së fundmi nga pjesëtarë të grupit të zjarrit, u shpreh se çatia e BDI-së tregohet në terren.
“Kryeshtylla e kësaj shtëpie është krye komandanti lideri ynë Ali Ahmeti i cili kësaj shtëpie i ka vendosur kulm të sigurt, e jo prej tjegullave dhe prej pleku siç mendon dikush ta quaj këtë kulm dhe këtë shtëpi, për faktin që ato shtëpi që kanë pasur të tillë kulmi u janë rrënuar edhe shtyllat se s’kanë pasur themele të sigurta dhe një fjalë thotë para se ta akuzosh dikë, duhet t’i drejtohesh pasqyrës me u pa në pasqyrë”, tha Talat Xhaferi, anëtar i kryesis qendrore BDI.
Një prej të pakënaqurve të BDI-së, Blerim Bexheti, në një intervistë për “Telma” u shpreh se kryetari i partisë gjithnjë ka qenë i balancuar, por kësaj here po mban anë.
“Realisht po çdo herë ka balancuar dhe asnjëherë nuk ka mbajtur anë, fakt është se i ka përkrahë edhe ministrat e qeverive të kaluara, por ka pasur raste edhe kur një ministër apo tjetër, ose e gjithë qeveria të tërhiqet, por për fat të keq jepet pasqyrë se ka marr anë. Nuk është dashur të mbajë anë, është dashur ta lërë debatin, madje edhe votimin e fshehtë për votëbesimin e ministrave dhe nuk do të ishim të detyruar për qasje të këtillë ndaj Grubit dhe kolegëve të tij në Qeveri të cilët gjithnjë kanë pasur qasje të këtillë”, tha Blerim Bexheti, sekretar organizativ në BDI.
Javën që vjen grupi i zjarrit do të jetë në Kumanovë, ku do të ketë takime me strukturat e BDI-së, ndërsa Ahmeti me ministrat do të jenë në Tetovë.
