Janë shokë, po edhe kolegë. Për 30 vjet kanë punuar si shoferë në autobusët e transportit publik, njëri në linjën 23 ndërsa tjetri në 45. E sot nga ora 6 e mëngjesit po qëndrojnë para dyerve të Qytetit të Shkupit duke pritur që dikush t’i pranojë, por pa sukses.
“Shumë vështirë, si të na shkojë dita, ngrimë edhe pa para, po presim ndonjë përgjigje. Po presim, por nuk na pranon kryetarja. Unë punoj nga viti ‘92, tashmë 30 vjet.
30 vjet edhe unë, nga ‘92-sjo bashkë kemi punuar. Tani a e keni të vështirë? Jo vështir, po më shumë se kaq, por çfarë të bëjmë kur askush nuk na pranon dhe askush nuk na dëgjon ne“, tha Branislav Mitevski, shofer autobusi.
Transportuesit privatë autobusët i parkuan në rrugën “Ilindenska” dhe aty do të qëndrojnë deri në orën 17, duke bllokuar kështu njërën korsi të të dyja anëve të rrugës. Në këtë mënyrë duan t’i tregojnë kryetares Danella Arsovska se sa janë në numër.
“Është tragjike këto kapacitete të mëdha të qëndrojnë këtu të parkuar ndërsa qytetarët të mos mund të qarkullojnë nga pika A deri në pikën B, sepse e dimë të gjithë se NQP nuk ka aq kapacitet”, theksoi Kemal Muriq, përfaqësues i transportuesve privatë.
Për ndërprerjen e marrëveshjes nga ana e Arsovskës, transportuesit thonë se rasti do të ketë epilog ligjor.
“Pa asnjë paralajmërim dhe informim, as me shkrim dhe në asnjë formë, mirëpo për këtë patjetër se vijon epilog ligjor, njëjtë sikurse për akuzat, që gjoja se ne jemi kriminelë e nuk kemi paguar tatim. Institucioni më relevant, DAP, tashmë ka hyrë në kompanitë tona e rezultatet besoj se do të shpalosen së shpejti. Jam i bindur që me krenari do të dalim ne dhe do të shohin se nuk ka krim këtu”, tha Kemal Muriq, përfaqësues i transportuesve privatë.
Nesër dhe pasnesër nuk do të ketë protestë, ndërsa nga e hëna do të ketë bllokadë të plotë të qarkullimit në udhëkryqin te “Mavrovasja”, “Kryqi i Kuq” dhe në rrugën “Ilindenska”. Transportuesit privatë kërkojnë që NQP-ja ta paguajë borxhin që e ka ndaj tyre, që sipas tyre është mbi 2 milionë euro.
