Për 1 orë s’mund të vaksinohet 1 fshat i tërë, pritjet në temperatura të larta shkaktojnë nervozizëm te qytetarët

TË FUNDIT

Vaksinimi anti-kovid në terren po del të jetë një sfidë e vështirë për ekipin mjekësor.

Sipas planit është paraparë që një fshat i Pollogut të kryhet për 1 orë.

Në një fshat vaksinohen minimum  150 persona, kjo do të thotë se  mjeket duhet të vaksinojnë për 24 sekonda një qytetar.

Në fshatin Sllatinë ekipi mjekësor duhej të arrinte në ora 12:00 dhe të bëj vaksinimin deri në ora 13:00, por ekipi arriti në ora 13:20 minuta, me çka qindra qytetarë të moshuar prisnin në  temperatura  të larta.

Kryetari i bashkësisë lokale Daut Imeri thotë se ky fshat ka rreth 6 mijë banorë edhe është absurde të të vaksinohet për një orë.

“Vonesa e stafit mjekësor në kohën që është dashur që të vijë nuk është e mirë aspak. Duhet të vijë stafi fillimisht, pastaj banorët. Nuk e di a është neglizhencë  dhe nuk mund ta kuptoj. Duhet të bëjnë organizim më të mirë për këtë. Për një orë nuk mund të bësh asnjë punë e leje më vaksinimin e një fshat që ka pesë apo gjashtë mijë banorë. Duhet periudha me gjatë të jetë”, theksoi Daut Imeri – kryetar i Bashkësisë Lokale – Sllatinë.

Mjeku Besnik Mustafai i cili është edhe  koordinator i stafit për vaksinim,  thotë se interesimi i madh, punët administrative dhe koha e shkurtër ka bërë që ata ta kenë të pamundur që brenda një ore të vaksinojnë komplet një fshat.

“Numri i banorëve të interesuar është  trefishuar për dy tre ditë. Kapacitetet e shtëpisë së shëndetit në punktet mobile  janë të angazhuara në maksimum, por fluksi i qytetarëve për një kohë shumë të shkurtër, pasi që terminet i kemi  me kohë të paracaktuar edhe brenda një orë është shumë  e rëndë që të vaksinohen nga 150  deri në 200 banorë  dhe pikërisht për këtë arsye ngelim me vonesa në fshatrat e radhës”, u shpreh Besnik Mustafai – koordinator.

Në bazë të planit për vaksinimin mobil  vetëm gjatë ditës së sotme një ekip mjekësor  është dashur që të  vaksinoj mbi gjashtë fshatra që kanë mbi pesë mijë banorë. Deri sa ekipi  i Televizionit 21 ishte në terren në  katër fshatra ishin vaksinuar  rreth 50 banorë. Numri i vaksinave sipas mjekëve nuk mungon, por koha e shkurtër dhe temperaturat  e larta  kanë bërë që pritja të shkaktojë nervozizëm tek banorët.