Në seancën e nesërme parlamentare do të gjenden pesë ligjet e nevojshme për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D, të cilat janë me flamur europian, ku deputetët do të votojnë në fazën e parë, përkatësisht për nevojën për sjelljen e tyre. Ministri për vetëqeverisje lokale, Risto Penov, për TV21, tha se ky projekt është një prej më zhvillimorëve në vend. Me këtë hapet mundësia për qasje më të shpejtë për ardhjen e kapitalit, ardhjen e njerëzve, ngritjen e bizneseve të reja, objekteve të reja që në përgjithësi do ta rrisin zhvillimin, thotë Penov.
“Do të lëvizet jo vetëm operativa ndërtimore, por edhe shumë sektorë në vend do të kenë mundësi, shumë para do të hyjnë në qarkullim me marrëveshjen Bechtel dhe Enka, 51% të parave janë të obliguar që t’i shpenzojnë në Maqedoni, vetëm në këtë bazë për 1% rritet Bruto prodhimi vendor”, tha Risto Penov, ministër për Vetëqeverisje Lokale.
Deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski, vlerëson se me ndërtimin e korridoreve vendi ynë do të bëhet rreth rrotullim i Ballkanit. Ligjet, siç thotë ai, janë të nevojshme që të mos përsëritet rasti me ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër.
“Bëhet fjalë për investimin më të madh infrastrukturor, në vlerë prej 1,3 miliardë euro, prej të cilave 51%, ose mbi 600 milionë euro do të përfundojnë te kompanitë vendore ndërtimore. Korridorin 8, BE e pranon si korridor europian me rëndësi gjeostrategjike. Kështu që, ndryshimet nga këto ligje sillen me flamur europian”, pohoi Martin Kostovski, deputet i LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE edhe më tej me akuza se kjo marrëveshje është e dëmshme, ndërsa ligjet sillen me forcë dhe me flamur europian për të bërë krim, thonë nga kjo parti.
“Heshtja e Kovaçevskit dhe ikja nga debati është konfirmim për dëmet nga marrëveshja. Konfirmim se Kovaçevski ka pranuar të paguaj qindra miliona euro paradhënie dhe dënime kompanisë private të cilën e dakordoi pa tender në katër sy, ka pranuar që punëtorët të punojmë më shumë orë që të mbushin xhepat e mbikëqyrësit, gjithashtu të dëmshpërblehen njëjtë objektet legale dhe ilegale”, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nesër në seancë parlamentare për miratimin e nevojës për sjelljen e tyre do të gjenden propozim ligjet për ndryshimin e Ligjit për vlerësimin e interesit publik dhe nominimit të partnerit strategjik për korridoret 8 dhe 10D, Ligjit për planifikim urbanistik, Ligjit për ndërtim, Ligjit për shpronësim dhe Ligjit për marrëdhënie pune. Për këto ligje “Levica” ka parashtruar gjithsej 6 664 amendamente.
