Penko, klasat e para me nga 30 nxënës, mësimdhënësit kërkojnë rikthimin e paraleles së mbyllur

TË FUNDIT

Dita e parë në shkollë! Klasat e para në filloren e Penko-s nga prindërit u priten me buqeta lulesh e nga arsimtarët me çanta të reja. Por, sërish nuk ishin të lumtur nga që një paralele në gjuhen shqipe u mbyll.

Kjo ka bërë që këto katër paralele të klasave të para të jenë të tej mbushura me nga 30 nxënës në Sh.F. ‘Petar Zdravkovski-Penko’ të Butelit. Prindërit shprehen të indinjuar ngaqë shumë prej nxënësve që nuk kanë rregulluar adresat e banimit në këtë komunë së paku një vit më herët, mbeten pa u regjistruar.

“Në ditën e parë të shkollës, drejtoresha mungon. Për arsye subjektive ka marr pushim mjekësor, ndërkaq këshilli i disa prej arsimtarëve kanë reaguar lidhur me mbipopullimin e katër paraleleve të klasave të para për arsye se paralelja e pestë është mbyllur me vendim drejtorisë dhe komunës”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.

Arsimtarja Hatixhe Topalli tha se mësimdhënësit njëzëri kërkojnë rikthimin e paraleles së pestë shqipe në Penko duke shprehur zhgënjimin nga autoritet që përpiqen sipas saj, ta shfaqin problemin si të zgjidhur.

“Në këtë shkollë fatkeqësisht po krijohet një situatë që ngrit seriozisht çështjen e standardeve të dyfishta. Për paralelet me mësim në gjuhën maqedonase lejohet që mësimi të zhvillohet edhe me nga 4-5 nxënës, por kur bëhet fjalë për nxënësit që ndjekin mësim në gjuhën shqipe kërkohet respektim shumë më rigorozë i kritereve dhe si pasojë na mbyllet një paralele”, tha Hatixhe Topalli – mësimdhënëse në SH.F “Petar Zdravkovski – Penko”.

Kreu i Komunës së Butelit tha se me rekomandim të Ministres Vesna Janevska ka bërë një mundësi që të regjistrohen këtë javë në klasë të parë në Penko edhe nxënës të Çairit, por me një kusht që të kenë dikë nga vëllezërit dhe motrat në atë shkollë nga klasa e 2-të deri në të 9-tën. Kostovski tha se qindra metra më tej Penkos, nxënësit e Çairit e kanë edhe filloren “Imri Elezi” që mund të regjistrohen klasa parë.

“Ja diçka të re, në marrëveshje me Ministren, kemi bërë diçka që ndodh shumë shpesh si praktikë nëpër Maqedoni dhe në Qytetin e Shkupit mund ti them edhe me shembuj. Ata fëmijë nga Çairi që kanë vëllezër dhe motra në Sh.F. ‘Petar Zdravkovski-Penko’ janë pranuar me vullnet të mirë, thjeshtë mos të ketë ngjyrime politike dhe të kuptohet se qëllimi ynë është mësimi cilësor dhe asgjë tjetër”, deklaroi Darko Kostovski – kryetar i Komunës së Butelit.

Shkolla Fillore “Penko” numëron mbi 1,700 nxënës, prej tyre 90% janë shqiptarë. Sipas të dhënave të fundit të Entit shtetëror të statistikave numri i nxënësve shqiptar në gjithë Komunën e Butelit është shumicë me mbi 56%, përkatësisht nga gjithsej 5,276 nxënës, prej të cilëve shqiptarë janë 2,971 nxënës.