Pendarovski u jep të drejtë të dyja palëve: “Joreale kërkesa e opozitës për ndryshime kushtetuese me prapaveprim”

TË FUNDIT

Presidenti Stevo Pendarovski i sheh si të drejta, si pohimet e kryeministrit Dimitar Kovaçevski po ashtu edhe ato të kreut të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, rreth procesit të ndryshimeve kushtetuese. Kreu i shtetit thotë se kryeministri ka të drejtë kur pohon se opozita ka ndryshuar qëndrim disa ditë pas takimit të liderëve për këtë çështje.

“Kryeministri ka të drejtë kur thotë se ka ndryshim drastik në qëndrimin e partisë kryesore opozitare, e cila më herët nuk pranonte të votonte për futjen e bullgarëve në kushtetutë, duke pohuar se nuk mund të pranojmë ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar dhe e dyta, pohonte me muaj të tërë, se kjo përbërje parlamentare nuk ka mandat të marrë nga qytetarët në 2020-tën të të hyjë në proces të ndryshimeve kushtetuese. Kjo është e pakontestueshme”, tha Stevo Pendarovski, president.

Po nga ana tjetër, Pendarovski si të drejtë e sheh edhe qëndrimin e kreut të VMRO-DPMNE-së se ka kërkuar që nëse bëhen ndryshimet kushtetuese të jenë me prapaveprim, pra të mos hyjnë në fuqi deri në anëtarësimin fuqiplotë të Maqedonisë në BE, por kjo sipas Pendarovskit është kërkesë joreale.

“Nga ana tjetër opozita është në të drejtë kur thotë se parakushtet e saj, që i ka parashtruar si shtesë në atë takim liderësh, sidomos kjo që përmendni për prapaveprim të ndryshimeve kushtetuese, ose të vlejnë kur do të hynim në BE ose kur të përfundojë procesi i ratifikimit të protokolleve aderuese, sipas meje kjo është absolutisht jashtë realitetit. Edhe unë do të doja diçka të tillë, mirëpo përfundimet e Këshillit të Europës janë të qarta kristal, patjetër duhen bërë ndryshimet kushtetuese deri në fund të procesit të skriningut, që me automatizëm që të vazhdohet me konferencën e dytë ose hapjen konkrete të klasterëve, kapitujve”, theksojnë Stevo Pendarovski, president.

Pendarovski tha se shpreson që ky qëndrim i opozitës të mos jetë vetëm justifikim për mosarritjen e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa shtoi se ka qenë vërtetë i befasuar kur opozitarja VMRO-DPMNE shfaqi gatishmëri për ndryshime kushtetuese, madje duke u bërë edhe pjesë e Qeverisë.

Pendarovski nuk është optimist se ndryshimet kushtetuese do të arriheshin deri në mbajtjen e procesit të Bërdo-Brionit, për shkak se siç sqaroi, procesi mbahet në gjysmën e dytë të shtatorit, ndërsa vendit i duhen më së paku 3 muaj e gjysmë për ndryshimet kushtetuese.