PENDAROVSKI: TA ÇOJMË BALLKANIN DREJT BE-së, ZAEV: AI ËSHTË PRESIDENTI I ARDSHËM I SHTETIT

TË FUNDIT

Kandidati i koalicionit qeveritar, Stevo Pendarovski, vazhdon fushatën për të prezantuar programin dhe konceptin e tij për 5 vitet e ardhshme të Maqedonisë së Veriut. Ai sot takoi komunitetin bullgar. Gjatë këtyre 13 ditëve Pendarovski ka bërë fushatë maratonë duke takuar banorët dhe duke ua prezantuar idenë e konceptit “Bashkë Përpara”. Kandidati për president Pendarovski zotohet se do të angazhohet që Maqedonia e Veriut sa më shpejt të marrë datën për fillimin e bisedimeve me NATO dhe BE, dhe të gjithë bashkë të jemi pjesë e Evropës. Gjatë kësaj fushate, Pendarovski i shoqëruar nga kryeministri Zaev janë në të njëjtën vijë për konceptin “Një shoqëri për të gjithë”.

“Në konceptin – Një shoqëri për të gjithë, toleranca dhe solidariteti, janë vlera jonë e përbashkët. Qytetarët, komunitetet dhe politikanët, që i kanë kuptuar dallimet mes tyre dhe i kanë pranuar të njëjtat duke i lënë anash, për tu kushtuar qëllimeve të përbashkëta, mund të jenë bartës të shoqërisë së përbashkët. Më vjen mirë që sot kemi njeri i cili sipas meje, sepse jam i informuar mirë, do të jetë presidenti i ardhshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

“Këtu jemi njerëz prej të gjitha gjeneratave që na bashkon një mendim, një koncept për të bërë gjithçka sipas mundësive tona, në kuadër të shteteve tona, ta çojmë Ballkanin drejt BE-së ose BE-në ta sjellim këtu, dhe përfundimisht ky rajon të mos prodhojë lajme të këqija dhe të mos jetë i njohur vetëm si rajon i ndarjeve dhe konflikteve por edhe si rajon ku ka politikanë dhe njerëz kreativë që mund të prodhojnë ide të mira”, potencoi Kandidati për President, Stevo Pendarovski

Sonte Pendarovski tubim qendror do të mbajë në Strumicë. Fushata tashmë është në ditën e 13 të saj. Kandidati i koalicionit qeveritar zotohet se nëse merr besimin e qytetarëve do të angazhohet që Maqedonia të përparojë si vend në strukturat euro-atlantike. Fushata e parazgjedhore do të zgjasë deri më 19 prill pas çka pason heshtja zgjedhore prej 24 orëve, për të përfunduar në ditën e zgjedhjeve që do të mbahen më 21 prill.

Përgatiti: Armend Abazi