Pendarovski: Shteti të mbetet në rrugën e BE-së! Pas zgjedhjeve “pastrim” te politikanët, gjykatësit dhe prokurorët

TË FUNDIT

Qeveria e ardhshme, cila do që të vijë, të zbatojë ndryshimet kushtetuese dhe Maqedonia të vazhdojë proceset eurointegruese. Kjo ishte një prej porosive të presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski në fjalimin vjetor, ku gjithashtu theksoi se nuk duhet të lejohet që përsëri të lëshojmë shansin dhe të presim edhe 10 vjet tjera, siç ndodhi në Bukuresht në vitin 2008, ku luhet me fatin e qytetarëve me kinse humbjen e identitetit.

“Me prolongimin e ndryshimeve kushtetuese, do të lëshojmë edhe një mundësi e cila më së paku mund të na kushtojë edhe një dekadë jashtë integrimeve, ndërsa kjo do të thotë progres më i ulët ekonomik, standard më i keq për qytetarët dhe emigrim më i madh. Në të njëjtën kohë, është plotësisht e papërgjegjshme të luajmë me ndjenjat e maqedonasit në temën – frikë kinse për humbjen e atributeve të identitetit, që të fitojmë pikë të ulëta politike”, deklaroi Stevo Pendarovski, president.

Pendarovski foli edhe për gjendjen në gjyqësor, ku kërkoi që menjëherë pas zgjedhjeve të ketë “pastrim” te gjykatësit dhe prokurorët, pasi që, siç tha, edhe paraprakisht do të ketë “pastrim” te politikanët. Korrupsioni, siç tha Pendarovski, mes komunitetit politik dhe komunitetit të biznesit  me një pjesë të gjykatësve dhe prokurorëve u bë mënyrë e jetesës që e cenon shtetin.

“Për fat të keq fitohet bindja se SHBA-të dhe EU janë luftëtarë të dëshmuar kundër korrupsionit te ne nga institucionet tona. Këtu dua që parlamentit të ardhshëm t’i lë porosi, atë që tashmë disa herë e kam propozuar publikisht. Menjëherë pas zgjedhjeve të zbatojmë “pastrim” edhe te gjykatësit edhe te prokurorët, por së pari, te ne politikanët. Edhe secili që nuk ka arsyetim logjik si me pagë shteti është bërë milioner, duhet menjëherë të përndiqet me procedurë penale e jo vetëm me dorëheqje”, tha Stevo Pendarovski, president.

Shefi i shteti foli edhe për ndodhitë me vrasjen e 14 vjeçares Vanja, që e quajti pikëllimi më i madh i dekadës së fundit. Megjithatë si arsye të kësaj tragjedie e theksoi tolerancën e tepërt të atyre që bëjnë propagandë për vlerat anti-civilizuese. 

“Fundi i 2023 na e solli pikëllimin më të madh në dekadën e fundit. Përmes tragjedisë personale të Vanjës së vogël dhe familjes së saj, e pamë shumë qartë patologjinë e tranzicionit të Maqedonisë, ambientin të cilin të gjithë ne, pak a shumë e krijojmë në 32 vitet e fundit. Shteti duhet me kohë dhe në mënyrë sistematike t’i margjinalizojë të gjithë ata që bëjnë propagandë kundër vlerave civilizuese, për të parandaluar vrasës të ardhshëm të cilët jo vetëm qytetarët tanë, fëmijët, të moshuarit ose pleqtë, por mund ta vrasin edhe ndërgjegjen tonë kolektive”, pohoi Stevo Pendarovski, president.

Pendarovski foli edhe për gjendjet e fundit me lëvizjen demografike në vend, për ikjen e madhe të qytetarëve nga shteti dhe tha se ky është problem me të cilin po ballafaqohemi viteve të fundit por se në kohën e fundit mori përmasa shqetësuese. Duhen politika aktive që do të ndikojnë në imazhin demografik në vend, për shkak se po ballafaqohemi me realitet ku kemi shumë pak nxënës dhe të punësuar ndërsa shumë pensionistë.