Seferi shkëlqen me dy gola në Turqi, kumanovari i dha fitoren Kayserisporit dhe u zgjodh lojtari i ndeshjes

TË FUNDIT

Taulant Seferi, një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare, ka folur me gjuhën e golave në fundjavë. Ai realizoi një dopietë me fanellën e Kayserisporit në Turqi, duke i dhënë kësaj skuadre fitoren e parë në kampionat, me rezultatin 0-2.

Seferi ishte bashkuar me këtë skuadër vetëm pak ditë më parë dhe menjëherë ka marrë rolin e liderit. Debutimi ishte mbresëlënës në fushën e Vansporit, ku lojtari kuqezi shënoi nga një gol në çdo pjesë dhe i dha 3 pikë të çmuara Kayserisporit.

Po me këtë skuadër luan edhe një emër tjetër i njohur në futbollin shqiptar, Florent Hasani. Që të dy kanë qenë pjesë e Tiranës vite më parë. Edhe Hasani ishte titullar, por nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës.

Seferi u aktivizua në krahun e majtë të mesfushës, megjithatë arriti të shfrytëzonte mjaft mirë rastet që iu krijuan. Ai mori notën më të lartë nga lojtarët e të dyja skuadrave, 9.3, duke u zgjedhur kështu edhe “Lojtari i ndeshjes”.