Pendarovski në "10 Minuta": Me pak hetime, mund të ngriten dhjetëra padi!

TË FUNDIT

Stevo Pendarovski, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “10 minuta” të TV 21, për “bombat” e LSDM thotë se në atë që nuk është transmetuar ka punë dhjetë herë më të pakëndshme, më të vështira, por edhe më jonormale nga ato që janë publikuar, por se ato nuk duhet keqpërdorur nga cilido aktor politik për qëllime politike.

Ai thotë se me hetime minimale pret që Prokurorja Speciale të ngrerë dhjetëra padi. “Mendoj se ajo dhe tërë ekipi i saj do ta kenë të lehtë të hartojnë së paku dhjetë padi kundër udhëheqësve të lartë politik në Maqedoni, sepse, edhepse janë vetëm gjurmë, nuk janë dëshmi mbi të cilat mund të bazohet një vendim i gjykatës, apo akuzë, është e qartë se bëhet fjalë për një gjendje të dukshme, në të cilën me minimum hulumtime të dëshmitarëve dhe dokumentave dhe të gjurmëve të parave, ju mund të vini tek ata, për të cilët dyshoni se kanë kryer vepër penale”, theksoi Pendarovski.

Ai u ndal edhe tek gjendja momentale e sigurisë, lidhur me burosjet e fundit në Kumanovë në “Lagjen e Trimave”. Ai thotë se duhet të hulumtohen deri në fund të gjitha dyshimet që janë nën hije të krizës politike. “Atje puna është gjithçka, përveç se e pastër, i gjithë aksioni. Në emër të 18 njerëzve të cilët humbën jetën, në emër të 18 varreve, pavarësisht se a janë të Maqedonisë apo nga jashtë, ky shtet dhe të gjithë aktorët politik që janë sot në qeverisje, si dhe të gjithë ata që nesër do të jenë, mendoj se kanë borxh të japin përgjigje, jo vetëm familjeve, por edhe gjithë publikut demokratik”, tha Pendarovski.

Pendarovski në „10 Minuta“ deklaroi se presioni i faktorit ndërkombëtar është fuqia e vetme lëvizëse në procesin e bisedimeve.

Intervistoi: Vasko Magleshov