Pendarovski ia dorëzon mandatin Kovaçevskit! “Do të formoj ekip i cili do t’u përgjigjet sfidave në vend”

TË FUNDIT

Presidenti, Stevo Pendarovski edhe zyrtarisht ia dorëzoi mandatin Dimitar Kovaçevskit, i cili para disa ditësh mori mbështetjen e kryesisë Qendrore të LSDM-së për ta formuar Qeverinë e re.


“Mbi bazë të Nenit 84 Paragrafi 1 Alineja 1 e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mbi bazë të njoftimit rreth propozimit për mandatar i cili është dorëzuar nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, dhe mbështetur nga partitë politike në përbërjen e koalicionit të cilat së bashku kanë shumicën e paraparë me Kushtetutën në Kuvendin e RMV-së, si mandatar për formimin e Qeverisë e emëroj kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë – z.Dimitar Kovaçevski”, tha presidenti i shtetit Stevo Pendarovski.

Për mua është nder i madh që Presidenti Pendarovski ma dha mandatin që ta formojë Qeverinë e re, tha Kovaçevski në fjalimin e tij të shkurtër që pati. Shtoi se ekipin e tij e pret punë të mundimshme dhe periudhë me sfida të mëdha. Mandatari i ri paralajmëroi se në fokus do të jetë zhvillimi ekonomik i vendit. 


“Prej sot filloj me formimin e ekipit të ri me njerëz që duhet t’u përgjigjen sfidave serioze që na presin  tashmë që në fillim të vitit të ardhshëm. Jetojmë në kohëra turbulente, në kohë të krizave dhe pasigurisë. Ballafaqohemi me probleme shumëvjeçare që e pengojnë progresin e shtetit dhe realizimin e qëllimeve strategjike. Në kohërat e këtilla duhen njerëz stabil, të përgjegjshëm dhe të guximshëm që do të marrin përgjegjësi që të ballafaqohen dhe do t’i tejkalojnë  të gjitha pengesat me qëllim që t’i mbrojnë  dhe të kujdesen për qytetarët”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – mandatar.

E për kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, po vazhdon zaevizmi dhe se Kovaçevski e merr mandatin edhe pse nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet dhe nuk e ka marrë besimin e qytetarëve. I bëri thirrje që të dalë në zgjedhje për ta marrë kredibilitetin dhe legjitimitetin nga qytetarët, e jo nga Zaevi.


“Pres të vazhdojë zaevizmi për shkak se përveç përkuljes  që e pamë, përveç fjalimit  ndaj  paraardhësit të tij me fjalët “kryetar”, përveç glorifikimit ndaj tij, nuk dëgjuam asgjë tjetër. Pamë disa njerëz që kanë qenë në eshalonët më të ulëta të LSDM-së të cilët tani janë në bordin ekzekutiv  të LSDM-së  që  e mbështesin Kovaçevskin. Kështu që, nëse më pyesni mua nëse pres  ndonjë kthesë më të madhe, përgjigjja ime është se nuk pres, përkundrazi pres rënie të lirë dhe vazhdimi i zaevizmit”, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Pas marrjes së mandatit, Kovaçevski ka afat prej 20 ditëve që në Kuvend të dorëzojë program për punë dhe për përbërjen e Qeverisë së re. Dje, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se pret që ta marrë propozimin deri më 10 apo 11 janar ndërsa qeveria e re do të votohet deri më 16 janar në mesnatë.