Për më pak se një muaj presidenti i shteti, Stevo Pendarovski, pritet të ketë takim me kolegun e tij bullgar Rumen Radev. Pendarovski këtë e paralajmëroi në kohë kur po intensifikohen kontaktet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, me qëllim të tejkalimit të çështjeve të hapura.
Shefi i shtetit, në tryezën e sotme të rrumbullakët të organizuar nga Këshilli i ambasadorëve vlerësoi se fillimi i fazës së re në raportet mes dy vendeve është i shkëlqyeshëm, por se ende jemi larg nga kryerja eventuale pozitive e këtij procesi.
“Unë do të mundohem që sa më shpejtë të jap kontribut personal në këtë proces, mendoj se është e rëndësishme që çdo institucion politik në dy shtetet të japin kontributin e vet që më në fund të largojmë edhe këtë problem. Supozoj se për më pak se një muaj që tani, po dakordojmë vizitë zyrtare me kolegen tim Radev në Sofje, Bullgari. Qëndrimi im, teza ime është se të dy presidentët e dy shteteve duhet të japin kontribut pozitiv për përfundim të suksesshëm të këtij procesi për shkak se kjo është në interes strategjik të dy shteteve dhe unë jam i bindur se presidenti Radev e ka të njëjtin mendim”, tha Pendarovski.
Fillimi i negociatave të Maqedonisë dhe Shqipërisë me BE mbeten prioritet kryesor, theksoi euro ambasadori, Dejvid Geer. Sipas tij është posaçërisht e rëndësishme që po intensifikohen kontaktet mes Shkupit dhe Sofjes me qëllim që të arrihet marrëveshje rreth çështjeve dypalëshe.
“Ky zhvillim është për përshëndetje. Ata promovojnë input të freskët dhe ne inkurajojmë edhe Shkupin edhe Sofjen që të mbajnë këtë vrull që të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për çështjen dypalëshe. Ne i mbështesim këto përpjekje. Me padurim presim që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare sa më shpejtë që është e mundur. Hapja e procesit të negociatave do të jetë kthesë për integrimin evropian të vendit”, deklaroi Geer.
Vlerësimet e tilla vijnë pas vizitave të fundit edhe të kryeministrit bullgar, Kirill Petkov në vendin tonë, por edhe pas seancës së përbashkët qeveritare maqedono – bullgare që u mbajt këtë javë në Sofje. Në lidhje me atë që është dakorduar në këto takime do të referohet nesër edhe në parlamentin Maqedonisë por edhe në atë bullgar.
