Dyqanet në Qendrën Tregtare të Qytetit – Shkup, edhe pse kanë matës për energji elektrike, megjithatë paguajnë fatura paushalle. Ata as nuk i kanë parë matësit, e as nuk e dinë saktë sa rrymë kanë shpenzuar. Qendra Tregtare, e cila është Shoqatë Aksionare, nuk ka licencë për kryerjen e veprimtarisë energjetike. Nga Komisioni Rregullator e konfirmojnë këtë, duke shtuar se mënyrën e rregullimit e përcaktojnë vetë qendrat.
-“Komisioni Rregullator për Energjetikë nuk do të ndërhyjë në këtë, thjeshtë ekziston mundësi që QTQ-ja, City Mall dhe qendrat e tjera tregtare dhe komplekset industriale që janë të kyçura në rrjetin distributiv siç është Makedonka Shtip, MZT Energetika, të marrin statusin e sistemit të mbyllur për distribuim, por kjo është e drejta e pronarit të këtij rrjeti”, tha Marko Bisllimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Kontaktuam edhe me QTQ-në, e cila jep fatura për rrymën e konsumuar. Prej atje thonë se kjo mënyrë e funksionimit nuk është e re, duke shtuar se ata vetëm e kanë kryer shërbimin – ri-faturim.
-“Energjia elektrike në faturat e dyqanxhinjve ri-faturohet mbi bazë të energjisë së konsumuar elektrike të regjistruar përmes matësve kontrollues në çdo dyqan. Mënyra e tillë e funksionimit e objekteve nuk është risi sa u takon faturave të dyqanxhinjve, e kjo nuk ka ndryshuar në 10 vitet e fundit. Në pajtueshmëri me Ligjin për Energjetikë, SH.A. QTQ-Shkup, nuk është distributor dhe furnizues i licencuar për energjinë elektrike, por vetëm kryen shërbimin – rifaturim të energjisë elektrike për shfrytëzuesit e kyçur në objektet elektro-energjetike të SH.A. QTQ-Shkup”, tha SH.A. Qendra Tregtare e Qytetit-Shkup.
Kështu duket njëra prej faturave që i lëshon QTQ për dyqanxhinjtë. Në to, përveç shpenzimeve paushalle, është llogaritur edhe vlera e energjisë së shpenzuar elektrike. Janë konsumuar 540 kWh në dy matës, që i bie gjithsej 5.282 denarë. Çmimi për një kilovat energji elektrike në orë reale është 8.2 denarë. Por, nëse QTQ-ja, siç pretendon, bën vetëm rifaturim, atëherë pse dyqanxhinjtë paguajnë dyfish më shumë për rrymë e cila furnizohet nga kompania “Enerxhi Aktive”? Shuma të cilën e tarifon QTQ-ja për 1 kilovat është më e lartë nga çmimet e tjera që janë të përcaktuara në ueb-faqen e Komisionit Rregullator për Energjetikë. Për shembull, tek EVN-Maqedoni, çmimi mesatar për 1 kilovat rrymë është 4.73 denarë.
QTQ-ja, rrymën e blen përmes furnizimit publik. Furnizimi i fundit është realizuar më 15 nëntor, 2019 në vlerë të përgjithshme prej 863.415 mijë eurove.
Tentuam të kontaktojmë me “Enerxhi Aktive”, kompani kjo e cila e ka marrë tenderin, me qëllim që të bëjmë krahasim – me cilin çmim ata e shesin energjinë elektrike dhe me cilin çmim pastaj QTQ-ja ua shet dyqanxhinjve.
Por, kompania në fjalë nuk ka as ueb-faqe, e as numër telefoni. Në numrin që e gjetëm, nuk përgjigjej askush.
Por, TV21, siguroi një marrëveshje që është lidhur në fund të vitit 2019 mes QTQ-së dhe “Enerxhi Aktive”. Atje është shkruar qartë se – çmimi derisa zgjat marrëveshja është fikse, respektivisht nuk ndryshon dhe mbetet 4.280 denarë për megavat pa TVSH.
Kjo do të thotë se 1 kilovat do të kushtonte 4.28, e jo 8.2 denarë siç është shkruar në faturat që i jep QTQ-ja.
Të gjitha sistemet në qendrat tregtare kanë konsumimin e vet, ndërsa mënyra e rregullimit, të drejtat dhe detyrimet i përcaktojnë vetë ata me klientët e tyre, thonë nga Komisioni Rregullator.
Prej atje shtojnë se mund të paraqesin kërkesë për sistem të mbyllur të distribuimit dhe se kjo është e drejta e pronarit të rrjetit, por deri më tani vetëm Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut kanë dorëzuar kërkesë të tillë.
