Patatja e Vicës ndër më të kërkuarat në Pollog, kultivohet në zonë malore me pleh natyral

TË FUNDIT

Fshati malor Vicë, megjithëse një nga fshatrat më të thella malore të Pollogut, është i njohur për patatet e tij. Patatet e Vicës janë shumë të kërkuara në treg, zihen shpejt dhe kanë një shije të veçantë. Banorët e këtij fshati thonë se këto patate kultivohen në një zonë malore dhe për rritjen e tyre përdoret vetëm pleh natyral, gjë që është një nga arsyet kryesore pse ato janë të shëndetshme dhe kaq të kërkuara në treg. Në këtë fshat sot u shënua dita e patates dhe groshës.

“Është dheu i mirë. U  bie dielli dhe i pjek. Më kualitet del se është me pleh shtëpie. Kemi pas bereqet plotë se derrat e egër nuk na kanë bërë dëm. Kërkojnë për të blerë me të madhe vetëm se ka problem se dikush i merr nga fusha, i shet për patate bjeshke dhe aty është dallimi del në rrenë puna. Patatja jonë është shumë e mirë, e thatë e brishtë, zihet për 15 minuta”, tha Avdi Arifi – bujk.

Në këtë manifestim i pranishëm ishte zv/ministri i bujqësisë Flakron Bexheti, i cili tha se qëllimi ardhjes është që të përkrahin bujqit edhe të promovohen produktet bujqësore.

“Ne kemi ardhur këtu si ministri të bëjmë promovimin e disa projekteve tona. Me projektin IPARD banorët e kësaj ane kanë marr një mbështetje me një vlerë prej 2 milionë e 200 mijë denarë , ku kemi disa pajisje të rëndësishme dhe vizita jonë është për tu dhënë përkrahje, për të stimuluar bujqësinë dhe të jemi në krahë të tyre. Këtu jemi edhe për ditën e fasules së Tetovës dhe kompirit të Vicës që është një ndër produktet më të njohura të kësaj ane  dhe qëllimi është që këta produktet  të marrin vlerën e duhur dhe të ribrendohen”, shtoi Flakron Bexheti – zv/ministër i Bujqësisë.   

Në këtë panairit të produkteve bujqësore u promovuan dhe produktet të tjera bujqësore, si djathi dhe mjalta e sharit, ndërsa nuk munguan as ushqime tradicionale.