Pastel i bashkon kandidatët e Tetovës – “Dilni në votime dhe votoni për ofertën më të mirë”

TË FUNDIT

Kandidatët e Tetovës për kryetar komune u ftuan për kafe nga ekipi i emisionin Pastel të Televizionit 21 në ora 9 të mëngjesit. I pari që arriti në kohë ishte kandidati i LSDM-së Hamdija Elezoviç, më pas edhe kandidati i PDSH Sadi Bexheti dhe ai i Besës Bilall Kasami. Munguan Vullnet Murseli i ASH&AAA dhe Teuta Arifi e BDI-së. Tre kandidatët përcjellën mesazh për tetovarët.

“I lusim qytetarët që të dalin në votime që është shumë e rëndësishme, të votojmë për ata që kanë dëshirë për atë që është më i miri dhe mendoj se gjatë kohës që është bërë kampanja jonë ka qenë shumë konstruktive dhe dëshiroj që deri në përfundim të zgjedhjeve të jetë konstruktive të mos ketë probleme dhe popullin mos ta lodhim”, tha Bexheti.

“Zgjedhjet janë vlera më e madhe demokratike. Vota e lirë përmes të cilës ju përcaktoni se kush do të jetë në krye të pushtetit lokal është një përgjegjësi e madhe e çdo qytetari. Prandaj ju lutem si qytetar i Tetovës që me 17 tetor të dilni edhe të votoni dhe të zgjidhni se kush për katër vitet e ardhshme do të vendos për të ardhmen tonë”, u shpreh Kasami.

“Tetova duhet të dal në mënyrë masovike të votojë dhe të tregojë mendimin e tyre përmes vitesh për ne si kandidat”, deklaroi Elezoviç.

Të tre bashke u zotuan se do të punojnë në interes të qytetarëve të Tetovës me një urra.

Javë më parë për kafe u bashkuan edhe kandidatët për komunën e Çairit, ndërsa qëllimi është që qytetarët të shohin se ata janë vetëm oponent politik dhe gara mes tyre bëhet vetëm për ofertën më të mirë.